Edi Rama: Po paguajmë dëmet e 20 viteve të zhvillimit kaotik, por do paguajmë
Nga Edi Rama
(Facebook)
Sot në Sukth e Shijak ku, ashtu si në të gjithë vendin, mobilizimi i strukturave shtetërore ka qenë maksimal, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga uji.
Në dy vjet është bërë një punë shumë e konsiderueshme për pastrimin e rreth 649 kilometra kanale kulluese që s’ishin prekur 20 e ca vjet. Falë kësaj pune dëmet nga përmbytjet rezultojne shumë më të vogla se ç’mund të ishin me këtë furi reshjesh. Puna vazhdon, dhe me 25 milionë dollarë që janë dedikuar enkas për pushtetin vendor, do të vijojë intensivisht këtë vit pastrimi i kanaleve dhe do të fillojë ngritja e një flote të mirëfilltë mjetesh në dispozicion të vendorëve për këtë qëllim.
Gjithashtu do të vazhdojë edhe puna për pastrimin e magjistraleve dhe rimëkëmbjen e mëtejshme të argjinaturave, ku për dy dekada janë bërë vetëm dëmtime e arnime. Sidoqoftë është e qartë për çdo mendje të arsyeshme, se një pjesë e dëmeve të sotme janë pasojat që i paguajmë dhe do vazhdojmë t’i paguajmë ende për disa kohë zhvillimit kaotik, pa ligj, pa rregulla, me ndërtime kuturu e me shkatërrime masive të pyjeve, lumenjve e sistemeve mbrojtëse, për njëzet e kusur vite me radhë.