Edi Rama: Edhe unë isha pjesë e protestës së PD
Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e sotme se edhe ai ishte bërë pjesë e protestës së zhvilluar nga PD-ja paraditen e sotme, sepse ishte bllokuar në rrugë.
“Edhe unë mora pjesë në protest pasi duke u kthyer nga aktiviteti në doganë, u bllokova nga të tjerët.
Kjo është forma më e ulët e protestës, pasi mjaftojnë pak njerëz për të bllokuar të tjerët. Pa llogaritur vështirësinë e madhe për mjetet e urgjencës” tha kryeministri Edi Rama, duke folur në emisionin Shqip të Rudina Xhungës.
“Debati mbi naftën është i stisur dhe ka doza hileje, sepse çmimi ra 20 % krahasuar me një vit më parë.
Kjo lidhet me konjukturat ndërkombëtare dhe sot shqiptarët e paguajnë naftën më pak.
Nëse në çmimin aktual nuk do ishte taksa e qarkullimit që ka futur PD në vitin 2012, atëherë çmimi do ishte më i ulët.
Asnjë vend nuk e ka në naftë, taksën e qarkullimit dhe të karbonit, por e kemi ne.
Çdo krahasim me vendet e tjera, përfshi rajonin, është pa vend sepse ata nuk kanë brenda, taksën e qarkullimit” shtoi gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama.