Edi Rama fton Bamir Topin në Koalicion
Kryeministri Edi Rama e ka kaluar të gjithë ditën e hënë në selinë e Partisë Socialiste. Pas një mbledhjeje me Grupin Parlamentar zhvilloi një takim me Kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi ku njoftoi arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi në zgjedhje dhe bashkëqeverisjeje. Më pas nisi takimet me deputetët e qarqeve Vlorë, Fier, Shkodër, Korçë dhe Tiranë për përzgjedhjen e kandidaturave që do të garojë e majta në zgjedhjet e 21 qershorit. Në fund pranoi të flasë duke ftuar në bashkëqeverisje edhe një parti të deklaruar “në të djathtë”, FRD-në e Bamir Topit.
“Dua të shfrytëzoj rastin për të bërë një thirrje të arsyeshme, që në këtë koalicion ka ende vend për të tjerë zëra dhe përvoja dhe këtu kam parasysh edhe FRD-në që me shumë konsideratë do ta ftoja të konsideronte bashkimin në këtë rrugë, jo për të përputhur programet por për të rritur spektrin e ideve dhe alternativave për vendin. Kemi kryer një reformë historike në mënyrën se si është organizuar shteti ynë në qeverisjen vendore dhe besoj se në këtë fazë nuk ka asnjë problem që edhe kjo forcë politike të bëhet pjesë e koalicionit të madh qytetar”, tha Rama. Tashmë Rama duket se ka lënë zyrtarisht jashtë aleatët e vjetër si PSD-në e Skënder Gjinushit apo PDS-në e Paskal Milos duke kërkuar aleatë të rinj. Ende nuk e ka thënë fjalën e tij Vangjel Dule pas hyrjes në koalicion të Shpëtim Idrizit