Edi Rama hap dyert e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, kryebashkiaku shkon në plazh
Kryeministri Edi Rama do të hap sot dyert e teatrit “Petro Marko” në Vlorës, ku do të zhvillojë mbledhjen me strukturat e PS-së së Vlorës. Të pranishëm në mbledhje do të jenë deputetët aktualë, deputetët e sapozgjedhur dhe të gjithë këshilltarët e bashkisë Vlorë. Po kështu do jetë kryesia e PS-së së qarkut dhe kryetarët e PS-së në njësitë administrative të bashkisë.
Teatri është kthyer në një pikë debati mes kryebashkiakut Leli dhe këshillit bashkiak të Vlorës, pasi këto të fundit kërkojnë të organizojnë mbledhje fizike aty, ndërsa Leli nuk e lejon këtë gjë me arsyetimin se nuk mund të bëhet për shkak të rregullave të vendosura për pandeminë.
Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli nuk janë aspak të mira, pasi ky i fundit nuk pranoi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Pas atij refuzimi, dyert në PS dhe qeveri janë mbyllur për Dritan Lelin.
Mësohet se sot kryebashkiaku Leli ka preferuar plazhin, ndërkohë gjyqi politik ndaj tij do zhvillohet në teatër.