Edi Rama, në Panairin e Punës: Me Veliajn, Tirana lokomotivë e punësimit

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar praninë e tij në Panairin e Punës për të promovuar kandidatin e aleancës së majtë në zgjedhjet lokale, Erjon Veliaj.

Kandidati ynë për kryebashkiak është punëtori më i mirë i qytetit. Me Veliaj kryetar bashkie, Tirana do të bëhet lokomotiva e punësimit real”, deklaroi sot  Kryeministri Edi Rama, i cili ka shfrytëzuar praninë e tij në Panairin e Punës për të promovuar kandidatin e aleancës së majtë në zgjedhjet lokale, Erjon Veliaj.

Nën drejtimin e Veliajt, qasja e qeverisë ndaj punësimit dhe mirëqenies sociale ndryshoi në mënyrë radikale, pretendoi kryeministri. – “Kjo qasje u fut në drejtimin e duhur dhe tani ne jemi në gjendje të shkojmë përtej kësaj. Në këtë panair janë 800 persona që kanë siguruar një vend dhe do të fillojnë punë. Ndërkohë që kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair kanë në dispozicion 5800 vende pune”, ka thënë Rama.  

Duke iu përgjigjur kritikave të bëra në adresë të qeverisë, kryeministri ka nënvizuar se papunësia, sidomos ajo e të rinjve, është një problem në të gjithë rajonin, por Shqipëria, sipas tij, “po merr kthesën”.   “Vendi po merr drejtimin e duhur, edhe pse ka ende shumë e shumë punë për të bërë. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se rezultatet e reformave nuk vijnë menjëherë, por vijnë gradualisht”, ka thënë Rama.

SHKARKO APP