Edi Rama për arrestimin e Belerit: Një rast i ndjeshëm, nëse nuk ka prova është skandal i madh
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetarin Berat Buzhala, nga gazeta Nacionale ku është ndalur në disa tema. Rama ka folur edhe për arrestimin e kandidatit të opozitës për Himarën, Fredi Belerit i cili është arrestuar mbrëmë nën dyshimin për blerje të votave. Rama tha se shpresonte që organet e rendit dhe të hetuesisë do të arrijnë ta mbështesin aksionin e tyre edhe me prova dhe fakte të qëndrueshme dhe bindëse.
“Për hir të vërtetës unë u befasova siç u befasuat edhe ju. Ky është një zhvillim që lidhet ne hetime tërësisht të pavarura, të cilin nuk kemi pasë mundësi të marrim akoma informacione, sepse prokurori do t’i drejtohet gjykatës për masën e sigurisë. Mesa kemi mundur të mësojmë nga policia e shtetit, bëhet fjalë për një hetim që ka filluar prej disa kohësh dhe kohë përpara se të fillonte polemika ime më këtë personazh, që u nxit nga një intervistë e tij e dhënë për mediat greke për helenizimin e Himarës. Bëhet fjalë për një hetim që ka prova dhe do jetë vërtetë një skandal nëse nuk ka prova të mjaftueshme për këtë veprim, sepse bëhet fjalë për një kandidat që është në garë. Nëse nuk ka prova që ky njeri është i përfshirë drejtpërdrejt në veprimtari kriminale, atëherë do të ishte skandaloze”, tha Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri ka bërë me dije se arrestimi i një kandidati të opozitës në kohë fushate është problematik. Sipas tij, organet e drejtësisë duhet të provojnë fajësinë e këtij kandidati.
“Kjo temë është shumë delikate, fakti që ky është një kandidat që ky përfaqëson sipas tij disa ndjenja dhe elementë të veçantë që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri. Kjo është problem, është vërtetë problem. Kjo është një veprimtari që duhet të jetë e provuar katërcipërisht se ai është i përfshirë në veprimtari kriminale që ndikon direkt në procesin zgjedhor”, është shprehur ai.