Edi Rama: PUNË E PARRESHTUR PËR RILINDJEN E SHËNDETËSISË
Kantieri i Shëndetësisë ka nisur punën nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me tre investime shumë të rëndësishme, për t’u shtrirë në mbarë vendin.
Kryeministri Edi Rama ishte sot për të inspektuar investimet në QSUT. 20 autoambulanca të reja do të vihen në dispozicion të spitaleve në të gjithë vendin për të përmirësuar shërbimin e urgjencës. Ky investim bëhet në kuadër të angazhimit për ngritjen e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës. Drejtori i shërbimit të urgjencës Dritan Pasku e njohu Kryeministrin me pajisjet dhe shërbimin bashkëkohor që ofrojnë mjetet e reja të transportit spitalor.
Ministri i Shëndetësisë Beqaj u shpreh se këto kapacitete diagnostike ishin të domosdoshme për spitalet e vendit dhe se po studiohet mundësia që ato të jenë të pranishme edhe pranë vendeve më problematike, përsa i përket aksidenteve në disa rrugë kombëtare të vendit, në mënyrë që t’u vihet sa më parë në ndihmë qytetarëve në nevojë. “Po punojmë gjatë gjithë vitit për të ngritur modelin sidomos të vendosjes në territor sepse në qoftë se sot i kemi pranë spitaleve, është e domosdoshme që të krijojmë edhe njësi të ndërmjetme. Për shembull Tirana nuk mund të rrijë vetëm me një qendër urgjence. Në 2 apo 3 hot-spote nacionale ku ka më shumë aksidente mendojmë t’i afrohemi me një njësi të përhershme me dy ambulanca që të jetë më i shpejtë transporti,” – u shpreh Beqaj.
Një investim tjetër shumë i rëndësishëm, është edhe ngritja e Qendrës së Konsultave ambulatore në QSUT, e cila do të lehtësojë ndjeshëm shërbimin ambulator brenda kësaj qendre, duke shmangur kështu kaosin dhe amullinë që krijohet shpeshherë në pavionet e spitalit. Qendra do të presë rreth 300 pacientë në ditë.
Drejtorja e QSUT, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se ky projekt bashkohor, i cili vjen si një risi për QSUT, do të zbatohet brenda këtij viti e më pas do të aplikohet edhe në spitale të tjera rajonale. “Jemi munduar që të krijojmë të gjitha facilitetet e domosdoshme, gjithmonë për t’u ofruar qytetarëve më shumë shpejtësi, akses, ose për të ofruar të gjithë diagnostikën e nevojshme për t’u bërë në një godinë. Qytetarët hynë në një derë dhe dalin në derën tjetër, ndërkohë që mjekët kanë hyrje të personalizuara dhe një farmaci rimbursimi, pasi sot janë më shumë se 100 qytetarë të cilët vijnë të marrin ilaçet e rimbursimit dhe ndërkohë janë të paorientuar në ambientet e QSUT,” – u shpreh ajo.
Një tjetër projekt në zhvillim e sipër, i cili përfaqëson njëkohësisht një ndër prioritet në programin e shëndetësisë, është ai për përmirësimin e shërbimit onkologjik. Kryeministri Rama pa nga afër ecurinë e punës për ndërtimin e bunkerit për akselerator linear, i cili do t’u mundësojë pacientëve që trajtohen me radioterapi, një shërbim modern, në kushte optimale, si dhe teknologji të avancuar.
Shefi i Shërbimit të Onkologjisë pranë QSUT Prof.As.Dr Agim Sallaku shpjegoi për kryeministrin projektin, i cili ka specifika të veçanta në ndërtimin e më pas në funksionimin e tij. “ Kjo është zona e gjithë sistemit të ri të aparaturave të radioterapisë, pra akseleratorëve linearë dhe disa pajisjeve të aksesorëve të tjerë. Janë konstruksione shumë të veçantë për shkak të problematikës, mure me betonarme me densitete specifike, sipas agjencisë atomike, rreth dy metra të trasha, që të ketë sigurinë si për ambientin ashtu dhe për punonjësit. Është teknologjia më e avancuar që bëhet. Besoj që me instalimin e akseleratorëve, pak a shumë shkojmë në ato parametra të trajtimit të kancerit normal si në çdo vend tjetër të botës.” – u shpreh Prof Sallaku.
Kryeministri Rama u shpreh se beteja për shëndetësinë është një betejë themelore e qeverisë, si dhe prioritet i Programit të Rilindjes Shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

