Edi Rama,Monika Kryemadhi dhe dy ministra fushatë për Viktor Tushen

 

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Kryetar të Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj i shoqëruar nga Kryetari i PS-së, Edi Rama, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave,  Edmond Panariti, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe deputetja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi zhvilluan takime me banorët e Shënkollit dhe fermerët në komunën Zejmen.

Duke u premtuar banorëve të Shënkollit se do të kenë ujë të pijshëm dhe për vaditje, Kryetari i PS-së,  Edi Rama akuzoi qeverinë e kaluar se në Shënkoll rreth 93 për qind e tokave ishte lënë djerr. Z. Rama premtoi ngritjen e rrjetit të vaditjes për të gjitha tokat e punueshme në Bashkinë e Lezhës në katër vitet e ardhshme.

“Bashkia e re e Lezhës ka 18 mijë ha tokë bujqësore. Deri 18 muaj më parë, nga këto 18 mijë ha, ujiteshin vetëm 1200 ha, domethënë 16800 ha ishin pa ujë. Në vetëm 18 muaj ne e kemi çuar sasinë e tokës që ujitet 6200 ha. Nuk janë 18 mijë ha, janë më pak, por ama nëse ata që e kishin pushtetin aq shumë e lanë me 7 për qind të tokës prodhuese të ujitur dhe 93 për qind të tokës në djerr. Ne për 18 muaj e çuam në 6200, që do të thotë se në 4 vitet e ardhshme me Viktor Tushajn, këtë shifër ta trefishojmë dhe ta bëjmë 18 mijë ha”, – tha Rama.

Ndërsa, deputetja e LSI-së së Qarkut Lezhë, znj. Monika Kryemadhi, tha se Shënkolli ka probleme me certifikatat e pronësisë dhe se pas fitores më 21 qershor kjo zonë do të kthehet në një atraksion turistik për t’i kthyer shkëlqimin që meriton Shënkollit.

“Jemi në një komunë që është jashtëzakonisht e madhe, gati sa bashkia aktuale e Lezhës, por ka qenë një komunë anonime për 25 vitet e tranzicionit në Shqipëri për të vetmen arsye sepse është një nga komunat më të pasura që ka Shqipëria dhe është një nga komunat që ka popullin më të mirë më mikpritës, më punëtor që unë kam parë në Lezhë. E them këtë sepse gjatë gjithë kësaj kohe kam shëtitur derë më derë, shtëpi më shtëpi, jo vetëm në Shënkoll, por edhe në Rrilë, në breg të lumit, në Tale dhe ajo mikpritje që kam parë këtu ka qenë e jashtëzakonshme, – tha znj. Kryemadhi. – Por problemet dhe ankthi që kanë këta njerëz për jetën e tyre dhe për të ardhmen e tyre është i paparë. Duke filluar që nga certifikatat e tokës, asnjë nga vendasit nuk i kanë pavarësisht se kanë me qindra vite që jetojnë këtu. Me qindra familje mbahen peng nëpërmjet certifikatave të pronësisë dhe të tokës. Ashtu siç ka familje të tjera që përmbyten çdo ditë nga kanalet vaditës, që nuk janë pastruar prej 25 vitesh ashtu siç ka familje të tjera që nuk kanë energjinë elektrike e kështu me radhë. Dhe jo pa qëllim kjo komunë është mbajtur e fshehur sepse këtu është bërë si i ka dashur qejfi sa i përket pronave, tokave dhe bregdetit”, – u shpreh deputetja e LSI-së në qarkun e Lezhës.

Më tej, znj. Kryemadhi theksoi se prioriteti i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” është t’i jap mirëqenien edhe Shënkollit, që të rinjtë ta shohin në vendin e tyre të ardhmen dhe të mos largohen jashtë apo në qytete të tjera.

“Kjo është një komunë shumë e pasur që ka një vijë bregdetare mbi 9 kilometra e cila është pashfrytëzuar dhe papunësia në këtë komunë është shumë e madhe. Ky vend do të jetë parajsë, jo vetëm popullin e Shënkollit, por do të jetë një parajsë dhe për turistët, për të gjithë shqiptarët që të vijnë të kalojnë pushimet e tyre. Dhe kjo gjë është e mundshme dhe e arritshme vetëm duke zgjedhur drejtimin e duhur. Në drejtimin e duhur shkohet duke votuar Viktor Tushajn më datën 21 qershor dhe duke votuar “Aleancën për Shqipërinë Europiane”. Kjo është e vetmja mundësi për të ecur përpara dhe për të ecur në drejtimin e duhur, për të pasur atë që është e domosdoshme. Për të pasur një jetë më të mirë për ju dhe që të rinjtë e Shënkollit të mos shkojnë as në Itali, as në Tiranë e as në Greqi, për një jetë më të mirë por të kthehen këtu sepse e meritojnë”, – deklaroi ndër të tjerash deputetja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi.

Ndërsa, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë Lezhë, z. Viktor Tushaj premtoi për mbështetje të bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit.

“Alternativa jonë si risi për krijimin e kooperativave, për kultivimin e bimëve medicinale, të cilat janë 100 për qind të eksportueshme,shfrytëzojnë tokat e lëna djerrë dhe realizojmë përmes një kontrate shumë vjeçare, të ardhura të garantuara prej 6 mijë dollarë për hektarë, pra gati 6-fishi i asaj që i siguron mbjellja e tokave me drithëra apo me foragjerë. Do të jem këtu për të mbështetur me investime në makineri, pajisje për zgjerim, për inovacion, për diversifikim. Një tjetër alternativë shumë e mirë e investimit që ne jemi për ta propozuar dhe kemi edhe plot partnerë të huaj të interesuar për këtë, është investimi në vreshtari. Po kështu kemi dhe blegtorinë, peshkimin dhe lagunën. Mund të themi se vetëm qarku i Lezhës-45 kompani importojnë mbi 5 mijë derra në muaj ose gati 50 për qind të gjithë importit të Shqipërisë e cila mund të zëvendësohet me 100 për qind me prodhim vendas, vetëm me një merkato peshku po të ndërtojmë dhe me një menaxhim kooperative ne mund të dyfishojmë të ardhurat e qytetarëve dhe me shfrytëzimin e lagunës dhe me popullimin e saj, ne mund të rrisin ndjeshëm punësimin dhe turizmin në këtë zonë”, theksoi z. Tushaj.

Gjatë takimit në komunën e Zejmenit, Kryetari i PS-së, z. Edi Rama deklaroi se reforma territoriale i ka kthyer bashkitë e reja në njësi të zhvillimit ekonomik ku bujqësia do të marrë një vëmendje të veçantë. Z. Rama deklaroi se qeveria do të lëvrojë 70 milionë dollarë në mbështetje të sipërmarrjeve të reja të fermerëve shqiptare.

“Ne sot jemi në kushtet kur pa asnjë dyshim nuk mund të themi se i zgjidhëm problemet e bujqësisë, por pa asnjë dyshim mund të themi se eksperienca e 18 muajve në qeverisje janë absolutisht në drejtimin e duhur. Aplikuam një skemë agresive mbështetjeje për investimet sipërmarrëse në fshat, duke e bërë përmes partneritetit të shtetit me sipërmarrjen në fshat. Praktikisht kemi financuar një numër të konsiderueshëm të sipërmarrjes me 50 për qind të vlerës së investimit, deri në 150 mijë dollar. Kemi parë se kjo është rruga më e sigurt dhe më e shpejtë për të rritur sipërmarrjen, por edhe për të fuqizuar familjen fermerë. Nëse familja fermere sot është në kushtet e bujqësisë së mbijetesës prej pamundësisë për të zhvilluar aktivitetin e vet në sipërfaqe të mëdha për shkak të copëzimit të tokës”, – tha z. Rama duke shtuar se rritja e kapaciteteve të pikave të grumbullimit, mbështetja e sipërmarrjes, bëjnë që kjo familje të mos jetë më vetëm dhe të mos e ketë të varur fatin e prodhimit të vet nga rastësia dhe nga çfarë sjell rruga, por të jetë pjesë e një cikli prodhimi”, – deklaroi ai.

Gjithashtu, z. Rama garantoi se qeveria është zotuar se do të rimbursojë tvsh-në e inputeve bujqësore.

 “Ne nuk do të japim parapagim, me demek heqje TVSH-je duke stimuluar korrupsion, kontrabandë, informalitet. Kemi provuar se duke rimbursuar tvsh-në e grumbulluesit kemi siguruar çmime shumë të kënaqshme për prodhuesit. Stimulimi i sipërmarrjes është stimuli i një organizimi në rrjet interesi dhe në një zinxhir vlerash që fillojnë në momentin kur hidhen farat nga fermeri. Falë kësaj politike fermeri e ka të siguruar prodhimin, shitjen e tij, sepse është grumbulluesi që e merr bazuar në kontratën midis tyre”, u shpreh z. Rama.

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti garantoi për mbështetje të bujqësisë. Z. Panariti theksoi se detyra e shtetit është të inkurajojë pikat e grumbullimit bujqësor që do të orientojnë fermerët se cili produkt është interesant për tregun dhe kështu fermeri do jetë i sigurt se produkti i tij do të shitet.

“Ne jemi për modelin e fermerëve që organizohen rreth një grumbulluesi, orientohen rreth nevojave të tregut në mënyrë që të favorizohen me kosto të ulët në prodhim. Ne kemi shanset për të shpërndarë inputet bujqësore në qendrat e grumbullimit bujqësor. Ato do jenë edhe pika të shpërndarjes së garantuar të inputeve bujqësore, plehrave kimike, farave, fidaneve, me një çmim të leverdishëm. Ky është modeli që do ta nxjerrë bujqësinë nga prapambetja dhe gjenerojë të ardhura për familjet që merren me bujqësi”, tha z. Panariti.

 

SHKARKO APP