EDI RAMA:PAPA FRANÇESKU VEÇON SHEMBULLIN E SHQIPËRISE
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një vlerësim të veçantë mesazhin që ka dhënë Papa Françesku gjatë fjalimit përballë trupit diplomatik në Vatikan. Në një postim në Facebook, Rama shprehet se Papa Françesku ka vlerësuar Shqipërinë si vendin me tolerancë fetare.
Mesazhi i plotë i kryeministrit në Facebook:
Në takimin me përfaqësitë diplomatike të vendeve të botës në Vatikan, ku Ati i Shenjtë dha mesazhin e paqes dhe të bashkimit shpirtëror të njerëzve pa dallime fetare kundër dhunës e terrorit, Ai veçoi Shqipërinë si një shembull rrezatues:
“…Kam përjetuar një shenjë të qartë se kultura e takimit për ndërveprim është e mundur gjatë vizitës sime në Shqipëri, një komb me shumë të rinj të cilët përfaqësojnë shpresë për të ardhmen. Pavarësisht ngjarjeve të dhimbshme të historisë së saj të fundit, vendi shquhet nga bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi që ekziston midis ndjekësve të feve të ndryshme, në një atmosferë të respektit dhe besimit të ndërsjellë në mes të katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve. Kjo është një shenjë e rëndësishme se besimi i sinqertë në Zot e bën dikë të hapur ndaj të tjerëve, të gjenerojë dialog dhe të punojë për të mirën, ndërsa dhuna është gjithmonë produkt i një falsifikimi të fesë, përdorimit të saj si një pretekst për skemat ideologjike, qëllimi i vetëm i të cilave është pushteti mbi të tjerët.”