Edi Rama:Përkujdesje për familjet e policëve të rënë në detyrë dhe ushtarakëve në misionet jashtë vendit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me familjarët e policëve të rënë në detyrë dhe ushtarakëve në misionet jashtë vendit:

 

Në radhë të parë gëzuar të gjithëve Krishtlindjet, gëzuar të gjithëve Vitin e Ri!

 

Ne sot jemi këtu për të zëvendësuar, pamundur në fakt, të zëvendësojmë prindërit që mungojnë. Prindërit që mungojnë për shkak se janë të angazhuar në vijën e luftës për një botë të sigurt në misione ushtarake jashtë atdheut dhe prindërit që mungojnë për shkak se në misionin e tyre fisnik të mbrojtjes së paqes dhe sigurisë brenda atdheut ranë në krye të detyrës. Prindërit ushtarakë që nën uniformën e blertë nderojnë vendin tonë, krah për krah me aleatët e tjerë në kuadrin e misioneve paqeruajtëse, apo të misioneve të rezistencës së botës së lirë ndaj epidemisë vrastare të terrorit dhe ushtarakët nën uniformën blu. Që prej vitit 1990 deri më sot janë 211 bashkëqytetarë që u mungojnë grave, nënave, baballarëve dhe fëmijëve të tyre. 150 nga këta janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut” dhe kanë shënuar emrin në përjetësinë e altarit të kombit duke lënë pas boshllëk, duke lënë pas kujtimeve të dhimbshme, por duke lënë pas edhe një trashëgimi të ndritur për gjithë fëmijët e tyre.

 

Ne jemi të vetëdijshëm se çfarëdo të bëjmë nuk e kompensojmë dot humbjen e familjes suaj, por jemi po kaq të vetëdijshëm se duhet të bëjmë gjithçka mundemi që fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, në rrugëtimin e tyre drejt daljes në jetë të mos ndjejnë mungesën e kujdesit prindëror. E atij kujdesi prindëror që për të gjithë fëmijët e zakonshëm, që e kanë nënën dhe babain, materializohet edhe në formën e investimit për shkollimin dhe për studimet e larta.

 

Sot, me vendim të Qeverisë sonë, në Akademinë e Policisë të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, që dëshirojnë të ecin në gjurmët e prindërve të tyre, pranohen pa konkurs. Dhe kjo nuk është shkelje e konkurrencës apo cenim i meritës, por kjo është shprehje e bindjes së thellë se në shpirtin e çdonjërit prej këtyre fëmijëve është e shënjuar një herë e përgjithmonë vlera e lartë e virtytit të shërbimit pa kompromis ndaj detyrës. Të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, ata më të rriturit, por edhe ata më të vegjlit kanë trashëguar një kapital të pakonkurrueshëm, kapitalin e këtij virtyti të lartë. E për këtë arsye janë dhe duhet të jenë gjithmonë krenarë për prindërit e tyre.

 

Nga ana tjetër, ne kemi bërë një kujdes të veçantë që forcat e policisë, njerëzit që përkushtohen nën uniformën e policisë të mos e ndjejnë respektin e shprehur të shtetit dhe të Qeverisë, vetëm në momentet e vështirësisë më të lartë dhe as të mos ju duhet të humbasin jetën që misioni i tyre të nderohet dhe respektohet. Dhe për këtë arsye, ne i jemi përkushtuar në mënyrë të veçantë rilindjes së Policisë së Shtetit, duke iu përkushtuar rritjes së cilësisë së jetës në familjen e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.

 

Kemi trashëguar një situatë shumë të rëndë financiare. Jemi në rrugën e mbarë të daljes nga një katrahurë financiare dhe nga një qorrsokak rrënimi ekonomik dhe kemi qenë të detyruar t’i nënshtrohemi një programi të rreptë reformash, një ndër pikat e të cilit është se na duhet pak kohë, dy a tre vjet, përpara sesa të mendojmë dhe të veprojmë për rritjen e rrogave të të gjithë punonjësve të shtetit.

 

Por kjo nuk na ka penguar që menjëherë të rrisim, thuajse të dyfishojmë, për punonjësit e nivelit të parë të policisë, rrogat e tyre. Kjo nuk na ka penguar që për Forcat Speciale dhe Operacionale të ketë një trajtim të veçantë shëndetësor, të garantohet vizita, të garantohet kurimi, të garantohet operacioni apo çdo nevojë tjetër shëndetësore me standardet më të larta dhe në barrën e shtetit.

 

Është përmendur më herët, edhe ndërtimi i Universitetit të Sigurisë, të Shkollës së Lartë të Policisë së Shtetit, kjo do t’i rrisë edhe më shumë rezultatet edhe sukseset e Policisë së Shtetit, por do të jetë në vijimësi një adresë e sigurt për të gjithë ata fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës, që duan të vazhdojnë në gjurmët e prindërve të tyre.

 

Nga ana tjetër, policët që do të dalin në pension të parakohshëm ose pension suplementar do të përfitojnë një rritje pensioni prej 173 mijë lekë më shumë se me ligjin e vjetër. Ndërkohë që 640 punonjësit e policisë që kanë mbi 30 vjet punë do të përfitojnë një pension që llogaritet në 400 mijë lekë në muaj. Të gjitha këto nuk janë mjaftueshëm për të shpërblyer një ndër punët më të vështira në Republikën tonë dhe për njerëzit që çdo ditë dalin nga shtëpia për të shkuar dhe për të luftuar në frontin më të vështirë, frontin e luftës kundër krimit, por të gjitha këto janë një shprehje kuptimplotë e vetëdijes sonë se në çdo moment që do të kemi mundësi të bëjmë më shumë, në radhë të parë do të bëjmë më shumë për njerëzit që nën uniformën blu i përkushtohen sigurisë së të gjithë qytetarëve tanë.

 

E, nga ana tjetër, unë jam shumë krenar që pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht shtrëngesave objektive që ka sot, ende, buxheti ynë, ne jo vetëm nuk i kemi harruar, por i kemi shpërblyer në prag të Vitit të Ri, mundin, sakrificat dhe nevojat e të gjithë atyre që meritojnë një vëmendje të veçantë. Që nga pensionistët kryefamiljarë tek personat me aftësi të kufizuar, që asnjëherë më parë nuk janë pasur në vëmendje për të marrë një shpërblim në prag të Vitit të Ri, tek familjet në ndihmë ekonomike. Por sigurisht më shumë se kaq. Jo vetëm shpërblime për ata që janë të pamundur, por shpërblime edhe për ata që kanë bërë më shumë se të tjerët. Ndër ta janë padyshim, në krye të vendit, ushtarakët që i janë përkushtuar imazhit dhe sigurisë globale, për të garantuar edhe sigurinë e vendit tonë në misione jashtë atdheut dhe në krye, policët e rënë në krye të detyrës, familjet e të cilëve duhet të kenë mundësinë që të mos privojnë asnjë fëmijë nga dhurata e Vitit të Ri.

 

Me shumë kënaqësi, unë ju shpreh të gjithë fëmijëve ta kalojnë gëzuar këtë Vit të Ri dhe me shumë krenari, unë nuk jua fsheh, ndjehemi shumë mirë që të gjitha nënat, të gjithë prindërit e policëve të rënë në krye të detyrës, falë kësaj mbështetje modeste financiare do të kenë mundësi t’i plotësojnë fëmijëve të gjitha dëshirat për dhuratat e Vitit të Ri.

 

Çdo fjalë dhe çdo fjalim, sado i gjatë, mbetet i pamundur për të shprehur atë që meritojnë familjet këtu të pranishme, apo ata që i përkasin këtyre kategorive dhe nuk kanë mundur të jetë dot këtu të pranishëm. Prandaj e mbyll duke u përulur me mirënjohje, jo vetëm përballë kujtimit të atyre që ranë në krye të detyrës, as vetëm përballë angazhimit të atyre që do ta kalojnë Vitin e Ri në frontet e luftës, por edhe përballë të gjithëve ju. E, në radhë të parë, përballë të gjitha nënave që pa bashkëshortin në krah duhet të fitojnë sprovën e rritjes, edukimit dhe garantimit të të ardhmes së fëmijëve të tyre.

 

Mirënjohje dhe respekt përgjithmonë!

 

Edhe njëherë, gëzuar Vitin e Ri dhe ndjehem mirë edhe për një gjë tjetër, që nuk ndajmë ne dhurata, siç ka ndodhur në të shkuarën, por do jeni ju që dorë për dorë me fëmijët do të dilni dhe do të blini dhuratat që u pëlqejnë.

SHKARKO APP