Edicioni i 9-të i Parlamentit Frankofon në Tiranë, Veliaj: Viti i lidhjeve mes të rinjve nga mbarë bota
Tirana është mikpritësja e radhës e Edicionit të 9-të të Parlamentit Rinor Frankofon 2022. Në kuadër të Kryeqytetit Europian të Rinisë, Tirana ka hapur dyert për një javë për punimet e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë. Në fjalën e tij, në Kuvendin e Shqipërisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu drejtua të rinjve frankofonë në gjuhën frënge dhe u shpreh se Kryeqyteti Europian i Rinisë, i cili u kthye në epiqendrën e mbi 1000 aktiviteteve rinore, kulmoi me çeljen e negociatave që shënuan një tjetër gur kilometrik në historinë e gjeneratës së re.
“Tirana është kthyer realisht në epiqendrën e vlerave europiane, një platformë për të shfaqur ide, projekte dhe aktivitete novatore, si një mundësi për të ngritur zërin e të rinjve në çdo nivel të vendimmarrjes. Është viti i lidhjeve mes të rinjve nga mbarë bota: vizitorë të panumërt, grupe, apo delegacione rinore po bëhen pjesë e kalendarit tonë të pasur prej mbi 1000 aktivitetesh vetëm në një vit. Është viti kur energjia rinore, me sa duket nuk ka ndërmend të shterojë. Është viti europian i të rinjve, tek e fundit dhe kryeqyteti, Tirana, u përket tërësisht atyre. Por, ka edhe një element identifikues i cili e bën edhe më të veçantë vitin 2022, tek i cili nuk mund të rri pa u ndalur! Kjo kurorë që i rri Tiranës bukur mbi krye e që gërsheton rininë në njërën anë dhe Europën nga ana tjetër, më duket se ishte një ogur i mirë për gjëra edhe më të mëdha, shumë më të mëdha sesa një qytet a kryeqytet: Shqipërisë iu hapën zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian! Po flas për një gur kilometrik në historinë e një vendi, mbi të gjitha në historinë e gjeneratës së re”.
Po ashtu Veliaj shtoi se edicioni i këtij viti i Parlamentit Rinor Frankofon është një mundësi unike për shumë djem dhe vajza, që të shkëmbejnë ide për çështje që lidhen me politikën aktualitetin, por edhe me teknologjinë, inovacionin dhe sfidat e mjedisit.
“Nuk mund ta fsheh dot entuziazmin e mirëseardhjes së Parlamentit Rinor Frankofon, pikërisht sepse është një mundësi unike, e jashtëzakonshme, për shumë djem dhe vajza, që të shkëmbejnë pikëpamje, mendime, ide për çështje që lidhen me avancimin e demokracisë, fqinjësisë së mirë, politikën e zgjerimit të BE, integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, rolin e teknologjisë, inovacionit, artin, kulturën si dhe mbrojtjen e ambientit. Mezi pres që të rinjtë e Tiranës të ndajnë me të rinjtë e parlamentit frankofon projektet e tyre që kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë së jetës në Tiranë. Ky Parlament është gjithashtu, një mundësi fantastike edhe për ne të rriturit: Është një urë komunikimi mes nesh dhe të rinjve, thënë ndryshe mes botës së sotme dhe botës së nesërme”.
Sesioni u përshëndet edhe nga Presidenti APF-së (Assemblée Parlementaire de la Francophonie), Francis Drouin, dhe Kryetari i Misionit për Europën, Jean-Charles Luperto.