Edmond Spaho: Çfarë pune ka administrata publike me votimet?
Nga Edmond Spaho*
Shikoni çfarë farse në Shkodër, farsë për të qeshur por më shume për të qarë. Shtatë drejtorë drejtorish rajonale dorëhiqen në grup nga pyjet, mjedisi, mjekësia, arsimi, posta, energjia, bujqësia. Në darke atyre ju shtua edhe drejtori i hetimit tatimor. Kushdo që e dëgjon fillon e mendon që gjendja në këto sektorë në Shkodër duhet të jetë katastrofike. Sigurisht atje ka probleme, por që të tërhiqen të gjithë në grup është vërtetë e çuditshme dhe fillon e gërmon për të mësuar shkaqet.
Dhe e dini cili është shkaku? Ka urdhëruar Rama publikisht, në mbledhjen e Kryesisë që t’ja mbathin sepse ata nuk janë kërkund. Nuk jane kërkund jo në fushën profesionale, por në mbledhjen e votave për PS! Po çfarë pune ka administrata publike me votimet? Ata janë të depolitizuar, atyre ju ndalohet të marrin pjesë në aktivitete politike si drejtues institucionesh aq më tepër në aktivitete dhe fushata elektorale. Në të vërtetë nuk habitemi. Edi Rama një nga armët e tij për të influencuar rezultatin zgjedhor ka përdorimin e administratës publike, kërcënimin, trembjen e çdo punonjësi le pastaj drejtuesit e institucioneve. Në rast se nuk arrijnë objektivat zgjedhore të Rilindjes në zgjedhjet e radhës, ata qërohen nga puna. Ju kujtohet thirrja që i beri policisë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017? Hiqni uniformat, tha Rama, dhe pas orarit të punës dilni e mblidhni vota për PS.
Rekomandimi i dytë, tek rekomandimet e rëndësishme të raporteve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri është marrja e masave urgjente për të garantuar paanshmërinë e administratës publike gjatë proceseve zgjedhore. Po më kë ta garantosh, të nderuar zotërinj të OSBE/ODIHR, me Edi Ramën? Ai nuk prapset në angazhimin e krimineleve për të mbledhur vota e jo më me administratën publike që e shikon si zgjatim të natyrshëm të PS.
Mospëdorimi i administratës publike për mbledhjen e votave është një nga kërkesat kryesore të opozitës për të krijuar kushte për zgjedhje të lira e të ndershme dhe shembulli i Shkodrës është rast skandaloz, i cili tregon se ku është katandisur kjo administratë nën sundimin e Rilindjes dhe Edi Ramës. Ata nuk konsiderohen dhe nuk ju kërkohet llogari për shërbimin që ju ofrojnë qytetarëve dhe zhvillimin e menaxhimin e sektorëve përkatës, por vlerësohen dhe mbahen përgjegjës vetëm se sa i shërbejnë Rilindjes për qëllime elektorale.
Rasti i Shkodrës është një thirrje më shumë që komuniteti ndërkombëtar në Tiranë të shikojë se çfarë votimesh patëm në 30 Qershor, se si administrata publike me dru dhe me frikën e largimit nga puna u dërgua në rresht të votojë dhe drejtuesit e institucioneve po largohen masivisht me arsyetimin se nuk kanë arritur objektivat elektorale te Rilindjes. Hapur, pa drojë, serbes sepse e shohin veten si pronarë të Shqipërisë kurse administratën si skllevër që duhet të rropaten për ta.
Rasti i Shkodrës është përqeshja e radhës që Rama i bën pesë kërkesave bazë që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave. Një prej kërkesave është krijimi i administratës publike, profesionale, në shërbim të qytetarëve dhe jashtë ndikimeve dhe përdorimit politik. Në të vërtetë mesazhi që Rama i dërgon BE nga mbledhja e Kryesisë të PS dhe nga Shkodra është që nuk jam fare i shqetësuar për plotësimin e kritereve tuaja, mua më intereson që administrata të plotësojë vetëm një kriter, atë që të sigurojnë me çdo mjet që unë të mbetem në pushtet, pavarësisht se Shqipëria shkon me vrap drejt greminës.
*Nënkryetar i PD-së
KOHA JONË SONDAZH

