Eduart Halimi: Rama-Meta, shkelës serialë të Kushtetutës

Partia Demokratike reagoi sërish sot, nisur nga deklarata e kryeparlametarit Ilir Meta, mbi hartën e re territoriale. Meta theksoi paradite, disi me ironi, se kryetari aktual i PD-së dhe njëkohësisht kryetar i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha duhet të jetë i gëzuari mbi ndryshimet që prashikon reforma territoriale nga politikanët, pasi Tirana si bashki do të jetë më e madhe dhe ai në mandatin tjetër do të ketë më shumë fuqi qeveriseje, gjithnjë nëse kandidon apo fiton zgjedhjet lokale. Por PD-ja  akuzoi mazhorancën e majtë për shkelje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Deputeti demokrat Eduard Halimi dhe ish-ministri i Drejtësisë tha se PD-ja nuk do ta njohë hartën territoriale, sepse ajo “ është harta e interesave politike e klienteliste të kësaj mazhorance.”  Ai tha se ata që urdhëruan bllokimin e vendimeve e Gjykatës Kushtetuese, për të fshehur llumin ku është zhytur parlamenti me deputetë të inkrimuar dhe familjare të tyre pjesë të mafias ndërkombëtare dhe trafikut ndërkombëtar, sot dolën për të folur për Kushtetutën dhe hartën politike të bashkëfirmosur si një hartë e interesave të errëta të Edi Ramës, Ilir Metës apo kujtdo tjetër që u përfshi në këtë farsë.

Deklarata për mediat e Eduart Halimit

Bashkëkryetari i një shumice të krijuar jo me votat e lira të qytetarëve shqiptarë, por me mandate të trafikuara dhe pazare të pista pas zgjedhjeve, që ka në përbërje deputetë të dënuar dhe në kërkim për trafik ndërkombëtar droge dhe qëniesh njerëzore, deklaroi pak orë më parë se qenkësh partizan i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; se harta territoriale nuk qenkësh politike, e qenka në favor të qytetarëve dhe se opozitës dhe popullit opozitar i janë njohur të drejtat për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në këtë proces. Janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë bllokuar nga Rama dhe Meta jo për një ditë, as për dy, por për 6 muaj me qëllimin e vetëm për të fshehur sa është e mundur para qytetarëve, llumin në të cilën zhytet çdo ditë e më tepër mazhoranca e votave të blera, e deputetëve të trafikuar dhe deputetëve trafikantë; llumin në të cilën ndodhet administrata qendrore e emëruar personalisht nga dy bashkëkryetarët, administratë që është kthyer në folenë e korrupsionit dhe favoreve seksuale duke degraduar gjithë administratën e shtetit e duke e kthyer nga në shërbim të qytetarëve, në shërbim të shefave të korrupsionit. Ata që urdhëruan bllokimin e vendimeve e Gjykatës Kushtetuese, për të fshehur llumin ku është zhytur parlamenti me deputetë të inkrimuar dhe familjare të tyre pjesë të mafias ndërkombëtare dhe trafikut ndërkombëtar, sot dolën për të folur për Kushtetutën dhe hartën politike të bashkëfirmosur si një hartë e interesave të errëta të Edi Ramës, Ilir Metës dhe kujtdo tjetër që u përfshi në këtë farsë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një hartë që nuk do t’u ofrojë qytetarëve asgjë të mirë për modernizimin e shërbimeve. Një përpjekje brutale për të shtrirë dhe unifikuar pushtetin oligarkik të qeverisjes së sotme qendrore me qeverisjen e ardhshme vendore e për ta shndërruar pushtetin vendor, ashtu siç kanë shndërruar e po shndërrojnë çdo ditë pushtetin qendror, me llumin e njerëzve të krimit, të mafias dhe një administrate të korruptuar. Ajo që bashkëkryetari e etiketoi sot si proces me opozitës është dhe mbetet një farsë që nuk ka lidhje me të vërtetën.

Swiss Digital Mobile Reklama

 

E nisën pa opozitën dhe e përfunduan pa opozitën, siç nuk ka ndodhur kurrë gjatë këtyre njëzet e tre viteve pa gjithëpërfshirje, pa konsensusin politik dhe qytetar. E nisën gjoja me konsultime me komunitetet vendore por thirren vetëm të bindurit e klanit dhe injoruan zërat e arsyeve kundër.

E nisën dhe e mbyllen duke i sfiduar hapur miqtë dhe aleatët me pazaret e ulta deri kriminale, që bënë në një parlament ku bota e krimit përcakton shumicën dhe ka çelësat e vendimmarrjes. Organizuam tri konferenca kombëtare dhe kemi konkluduar me një rezolutë në të cilën kemi përmbledhur paketën e propozimeve tona për reformën administrative-territoriale. Rama dhe Meta nuk e dhanë kurrë konsensusin në Kuvend për këtë çështje por u investuan fuqishëm në një mënyrë mafioze të vepruari për të instaluar përfundimisht politikën e konfliktualitetit, që ka goditur në themel bashkëjetesën demokratike në Shqipëri.

 

Demokracia shqiptare sot është në udhëkryq. Por që kemi bindjen se nuk do të mbetet, nuk do të qëndrojë, nuk do të zgjasë si e tillë.

Harta politike e dyshes Rama-Meta është e papranueshme dhe nuk do të pranohet kurrë.

Fjala e fundit është e qytetarëve, është e sovranit që ka gjithë të drejtën të ngrejnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë oligarkike që refuzoi t’i pyeste, që kanë të gjithë të drejtën të shprehen dhe të vendosin zbatimin e drejtpërdrejtë të Kushtetutës si ligji suprem i pushtetit të popullit, që kanë gjithë të drejtën të vendosin me një demokraci direkte dhe të drejtpërdrejtë. Ne do të jemi me ta dhe përkrah tyre në çdo hap dhe në çdo ditë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?