Ekipi i ri i PD-së, Lubonja: Anije për ujëra të qeta, po ashtu pres një qeveri me kukulla

Sot Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi ekipin e ri të kryetarit Lulzim Basha. Analisti Fatos Lubonja tha se emra si Alfred Rushaj, Jorida Tabaku apo Grida Duma janë njerëz të Bashës dhe me ta lideri Basha siguron një unitet të pushtetit brenda partisë.

“Kam parë pjesërisht, kryesisht ato emrat kryesorë jo gjithë ndryshimet. Ajo që ka mundësi, ndjesi, ndoshta gabohem se kemi dhe të drejtën e gabimit, se duhet parë në veprim. Po, pashë kyretarin e grupit parlamentar, që është njeri i qetë, Rushaj. Janë vija e parë në parlament. Ndoshta dhe nga ndikimi i njohjes së tij që është njeri i mirë, ka marrëdhënie të mira me të gjithë, mu krijua ndjesia që është një anije për të lundruar në ujëra të qeta. Ndërkohë që anija e opozitës duhet të lundrojë në ujëra shumë të turbullta, të frikshme, do të ketë përplasje, duhet të ketë përplasje të forta. Përplasje të forta jo vetëm institucionale se opozita bën dhe protesta. Ndërkohë Jorida Tabaku dhe Grida Duma janë provuar, janë të Bashës”,-tha për ”News 24”.

Po ashtu Lubonja kërkon që Basha të përfshinte në partinë e vet dhe fraksionin e Mark Markut që u largua nga PD-ja ditët e fundit si dhe kundërshtarët e vet për të krijuar një opozitë të fortë. Analisti nuk anashkaloi as qeverinë e re ”Rama 3”, e cila pritet të shpallet këtë javë. Për të do të jenë emra që do të shërbejnë si ”kukulla” të Edi Ramës.

”Pres një qeveri e mbushur me kukulla, që tërhiqen nga kukullaxhiu për qëllimet e veta. Kukullaxhiu nuk është vetëm Rama, por gjithë oligarkët, krimi, ata që ndërtojnë këto kullat, etj. Ata do të shërbejnë si fasadë, këtu nuk ka qeveri, debate, ka vendimmarrje të marra nga një person. Nuk më intereson shumë nëse do të ketë figura të reja apo të vjetra, sepse edhe të rinjtë janë si të vjetrit”.

SHKARKO APP