Ekrem Spahiu për ”KJ”: Thirrja e Berishës për protesta të fuqishme po i jep sukses “Foltores”. Në Shqipëri s’ka qeverisje
Ish-kreu i partisë ”Lëvizja e Legalitetit”: Legaliteti është markë e fortë dhe përfaqësuese autentike e konservatorizmit shqiptarë
Intervistoi: Redjon Shtylla
Një nga aleatët më të vjetër të PD-së është edhe partia ”Lëvizja e Legalitetit”. Ish-kreu i partisë, Ekrem Spahiu në një intervistë për ”Koha Jonë”, i pyetur për zhvillimet e fundit, sidomos për përçarjen e PD-së, thotë se ”Foltorja” e Sali Berishës po zgjon dhe afron një kontigjent të demokratëve me kontribute ndër vite në PD, por që ishin larguar, mënjanuar apo lënë në harresë. Për të thirrja e Berishës për fillimin e protestave të fuqishme deri në rrëzimin e qeverisë Rama, po i jep suksesin e duhur në “Foltores”.
Pjesa e dytë e intervistës
“Foltorja” e Sali Berishës po mbledh shumë demokratë rreth vetes, që deri më sot kreu Lulzim Basha nuk e ka arritur. Sa të dobishme për PD e shihni këtë nismë të z.Berisha dhe nga ana tjetër, duhet që të rikthehet në krye të PD-së?
Fatkeqësisht, është shqetësim i madh deri në dhimbje kombëtare, se në vend që PD-ja, partitë e tjera opozitare dhe gjithë faktorët opozitarë të jenë të bashkuar për të bërë opozitë shumë të fuqishme ndaj qeverisë aktuale, si shkaktarja e këtij realiteti të dhimbshëm që po kalojnë shqiptarët dhe shteti shqipëtar, e gjithë vëmendja politike, mediatike, diplomatike dhe publike është përqëndruar te Partia Demokratike.
Nuk është e lehtë të japim mendime ne, që kemi qenë dhe jemi aleat të PD ndër vite dhe të gjykojmë se kush ka të drejtë Berisha apo Basha. Për të mos e lënë pa përgjigje pyetjen tuaj, po shpreh mendimin tim modest dhe miqësor ndaj debatit në PD.
Fakti që “Foltorja” po zgjon dhe afron një kontigjent të demokratëve me kontribute ndër vite në PD, por që ishin larguar, mënjanuar apo lënë në harresë, është shumë pozitive. Lejimi i fraksioneve në parti është shumë pozitive për t’iu dhënë mundësi që të afrohen te PD-ja shumë grupe interesi.
Së treti, deklarimi i Berishës që PD të pozicionohet në spektrin politik, si parti e djathtë është për tu vlerësuar, por kjo sigurisht duhet me një program të qartë dhe të besueshëm.
E katërta por jetike, ngritja në protesta të fuqishme kundra qeverisë. Duke marrë anët pozitive të “Foltores”, shpreh dëshirën time që për interesin e demokratëve dhe të shumicës së shqiptarëve që duan rrotacionin e pushtetit, Berisha dhe Basha, domosdoshmërisht duhet të ulen në dialog dhe të arrijnë kompromisin e duhur dhe të kërkuar nga demokratët.
Berisha po artikulon shumë, që PD-ja të kthehet te vlerat e konservatorizmit, a j’u bën xheloz ju të Legalitetit?
Legalitetit, më 24 dhjetor 2021 ka 97 vjetorin e saj. Ajo ka historinë e shkëlqyer në kontributet e saj të mëdha, të dhëna në dobi të popullit, shtetit dhe kombit shqiptarë. Legaliteti është markë e fortë dhe është përfaqësuese autentike e konservatorizmit shqiptarë. Ky është një fakt afro shekullor dhe nuk mund ta mohoje askush. Përsa i përket pyetjes tuaj për xhelozi, kjo nuk ekziston fare, a ka mundësi që shumica e partive politike në Shqipëri të vijnë te vlerat e Legalitetit dhe t’i promovojnë e t’i zbatojnë ato.
A po e shfrytëzon Rama këtë situatë?
Përgjigjja është shumë e shkurtër. Në Shqipëri nuk ka qeverisje. Kryeministri Rama me qeverinë e tij e ka mbaruar mandatin prej kohësh, por krejtësisht për dobësi të opozitës dhe së fundi nga situata në PD, po qëndron në pushtet. Thirrja e Berishës për fillimin e protestave të fuqishme deri në rrëzimin e qeverisë Rama, po i jep suksesin e duhur në “Foltoren” e tij.
Po për deklarimin e fundit të Bashës, se Rama, Berisha dhe Meta, janë “Trekëndëshi i Bermudës”, çfarë komenti keni?
Po, nga java e shkuar togfjalëshi “Trekëndëshi i Bermudës” është futur në fjalorin politik të Shqipërisë nga kryetari zyrtar i PD Lulzim Basha, ku e përdori në parlament duke anatemuar si trekëndësh djalli Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Është deklarata më kurajoze që Lulzim Basha ka bërë deri tani në karrierën e tij politike dhe ta shohim këtë zhvillim të ri në politikën shqiptare.
https://kohajone.com/dekorimi-nga-princ-leka-pas-nje-misioni-te-gjate-ekrem-spahiu-shqiptaret-e-duan-mbreterine-jo-thjesht-per-te-shkuaren-por-edhe-per-te-ardhmen-e-tyre/