Elbasani në duart e ”talebanëve”
Nga: Redjon Shtylla
Vrasje, ekzekutim, atentat, banda, hakëmarrje etj, janë fjalët që përshkruajnë situatën ku ndodhet Elbasani. Qyteti prej vitesh është në dorën e të fortëve, që vrasin e godasin nën syin e Policisë, dhe kjo e fundit tregohet e dobët dhe e tërhequr për të vënë ligjin në zbatim. Ekzekutimi i dyfishtë dje, është në vazhdën e vrasjeve që lidhen me njëra-tjetrën.
E gjithë kjo situatë është si në Afganistan, edhe pse krahasimi nuk ka sens, veprimet të çojnë në Kabul. Aty ku talebanët kanë rrëmbyer shtetin, e në Elbasan bandat kanë marrë kontrollin e qytetit. Vrasje, rend zero dhe pasiguri për jetën, e kanë kthyer Elbasanin në vendin më të inkriminuar në Shqipëri.
Prej vitit 2005, Elbasani është një arenë ku zhvillohen përplasje. Shënjestrës së grupeve mafioze të qytetit, nuk i kanë shpëtuar as ata që kanë jetuar jashtë tij, apo edhe përtej Shqipërisë. Viktimat e këtyre aferave kriminale janë shënuar edhe në vende si Italia apo Holanda. Ka pasur ndër ta edhe të pafajashëm.
Ka shenja të forta që bandat kanë mbështetjen e politikës, dhe zërat për këtë aspekt kurrë nuk kanë munguar. Kjo shpjegohet edhe me lëvizjen e fundit që partitë kanë bërë në këtë qark, kaq problematik dhe të zjarrtë kur vjen puna për zgjedhjet.
Në një takim të zhvilluar fiks një vit më parë në Elbasan, kryeprokurori Çela thoshte se qyteti po kthehej në një skenë lufte mes bandave të krimit të organizuar. ”Kjo nuk mund të lejohet, asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë sesa shteti. Për këtë arsye, unë vlerësoj se është e domosdoshme që si nga policia, ashtu edhe nga prokuroria, niveli i bashkëpunimit të ngrihet në nivele të tjera”. Po ashtu Olsian Çela akuzoi tërthorazi edhe politikën, ndërsa tha se nuk u kishte lënë mundësi të tjera të rinjve të qytetit.
Deklaratat e kryeprokurorit janë një realitet i gjithë ditur në Elbasan, ku pedagogë, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile hezitojnë të flasin për bandat dhe fajësojnë autoritetet ligjzbatuese për ndikimin e krimit të organizuar në qytet. Duhet që Elbasani të shpëtojë nga duart e ”talebanëve”. Shumë mirë që Shqipëria mori dhe do të strehojë afganët, por në rradhë të parë të mendojë për ti dhënë zgjidhje rendin në këtë qytet.
Jo vetëm Elbasani ka probleme me rendin, por çdo qark ka bandat që vrasin rivalët. Sot mediat raportuan për shkarkimin e Ardi Veliut nga posti i Drejtorit të Policisë së Shtetit.