Elisa Spiropali: Benet Beci do ta bëjë Shkodrën perlë në rajon
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtuese politike në Shkodër, Elisa Spiropali tha se kandidati i PS-së Benet Beci do ta çojë Shkodrën aty ku i takon të jetë, me sytë nga e shkuara e saj e lavdishme, por duke parë përpara, drejt objektivit për ta bërë Shkodrën një perlë në rajon.
Në takimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet vendore të 14 Majit, ku i pranishëm është dhe Kryeministri Edi Rama, Spiropali tha se shkodranët duhet t’i besojnë atij votën.
“Shkodra është si asnjë vend, si një botë e tërë që vlen të zbulohet. Ka qytete që mburren se kanë det, ka qytete që mburren se kanë kala, të tjerë se kanë lumë, e qytete që mburren për liqen. Shkodra mund të mburret se i ka të gjitha, nga bukuritë natyrore te kultura, arti, historia e trashëgimia. Shkodra është e bekuar. Benet Beci do ta çojë Shkodrën aty ku i takon të jetë, me sytë nga e shkuara e saj e lavdishme, por duke para përpara drejt objektivit për ta bërë Shkodrën një perlë në rajon. Benet Beci mund ta bëjë. Benet Beci di ta bëjë, dhe duhet t’i besojmë atij votën”, u shpreh Spiropali.