Elona Guri falënderon durrsakët: Bashkë nuk ka bandë që na del përballë. Fitorja po vjen, ne duhet ta bëjmë realitet

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi pasditen e së dielës në Durrës një takim madhështor me kandidatët e saj në Qarkun e Durrësit.

Me mijëra qytetarë kishin dalë në rrugët e qytetit të prisnin kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi dhe kandidatët e tyre që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e ri të pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Kryesuesja e listës së LSI-së, Elona Guri u shpreh se LSI-ja në Durrës do të arrijë një rezultat spektakolar për t’u dhënë fund abuzimeve të qeverisë. Në fjalën e saj, Guri pati një mesazh direkt dhe për drejtuesit e PS-së dhe patronazhistët e tyre që tentojnë të manipulojnë zgjedhjet me presione ndaj qytetarëve.

“Ja u dimë emra, ja u dimë fytyrat. Mos guxoni se nuk na intimidoni dot. LSI është partia e shpresës, e fjalës së mbajtur. Është partia e shqiptarëve”, tha Elona Guri.

Ndërkaq, përmes rrjeteve sociale, drejtuesja e LSI-së për Durrësin do të përcillte një tjetër mesazh për qytetarët, të cilët ndërsa i falënderoi për mbështetjen në shesh, u kujton se të bashkuar nuk ka asnjë bandë në pushtet që t’i bëjë ballë fitores, që sipas saj, po pret të bëhet realitet në 25 prill.

“Dua t’ju falënderoj nga zemra për të gjithë kontributin e dhënë për përmbylljen e mitingut të sotëm me një sukses të jashtëzakonshëm. Jam krenare që iu kam në krah. Bashkë do të vazhdojmë rrugën e nisur jo vetëm për këto shtatë ditë që kanë ngelur nga dita e Fitores, por për gjithë jetën time. Përkushtimi juaj më ka prekur thellë në zemër. Edhe shtatë ditë na ngelen për të kurorëzuar me sukses gjithë këtë punë që kemi bërë së bashku. Sot rilindasit nuk do e bëjnë gjumin të qetë. Ata do vazhdojnë të kërcënojnë t’ju shantazhojnë, por Ne tashmë jemi mësuar me to. Ata janë në grahmat e fundit. Ne duhet të qëndrojmë bashkë në çdo moment. Mua do më keni në krah dhe bashkë nuk ka bandë që na del përballë. Fitorja po vjen, ne duhet ta bëjmë realitet që ta kthejmë Durrësin në shtëpinë tonë, ta kthejmë Shqipërinë në shtëpinë e çdo shqiptari. Nga nesër fillon një punë edhe më e madhe. Të mos lëmë derë pa trokitur, ashtu si kemi bërë deri më sot. Asnjë nuk është i tepërt në rrugën që kemi nisur për të transformuar jetën tonë, jetën e çdo shqiptari. Të gjithë bashkë do ia dalim. Forca motra edhe vëllezër. Fitorja jonë po troket, fitorja e Shqipërisë është shumë pranë. Ju dua të gjithëve që më bëtë të lumtur sot, por do jemi të lumtur të gjithë duke festuar me 26 prill fitoren tonë”, deklaroi kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së për deputetë në Qarkun e Durrësit, Elona Guri.

SHKARKO APP