Emanuela Daci po mban peng gratë dhe fëmijët e mbetur në kampin e ferrit në Siri
Emri që mban peng shqiptarët e mbetur në kampet e Sirisë, është një grua e quajtur Emanuela Daci. Ajo është bashkëshortja e Almir Dacit, nga Leshnica e Pogradecit, një prej luftëtarëve shqiptarë i cili në emër të krijimit të Khalifatit Islamik u vra në Siri.
Brenda kampit ”Al HawL” ajo merret me radikalizimin e mëtejshëm të grave dhe vajzave shqiptare. Autoritetet kurde e vlerësojnë Emanuela Dacin si penguese dhe kërcënuese të grave e vajzave shqiptare për t’u kthyer në atdhe.
Kryeministri Edi Rama pohon se “Janë dy persona që kanë refuzuar, por nga informacionet e marra në rrugë inteligjente janë persona që janë pengje brenda kampeve, janë persona që nuk shkëputen dot, që kanë frikë dhe frikën e kanë të bazuar në faktin që gjatë momentit të shkëputjes mund t’u marrin jetën”.
Metodat e përdorura nga Daci janë nga më të ndryshmet. Ajo u bën presion grave dhe vajzave shqiptare në ”Al Hawl”, se nëse do të pranojnë të kthehen në atdhe atëherë do tu heqin shamitë dhe nuk do të lejohen të kryejnë lutjet 5 herë në ditë.
Emanuela Daci shihet edhe si personi përgjegjës për moslejimin e kthimit në Shqipëri, të Eva Dumanit vëllai të cilës Endri u kthye në tetor 2020.
Marrë nga Top Channel