Emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ja çfarë ndodhi në mbledhjen e KED

Ka përfunduar mbledhja e parë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) që prej largimit të Ardian Dvoranit si kryetar, ndërkohë që postin e tij e ka marrë nënkryetarja Vitore Tusha.

KED vendosi të ngrihet një grup pune i përbërë nga anëtarja e KED, Saida Dollani dhe anëtarja zëvendësuese, Marsida Xhaferllari, të cilat do të punojnë intensivisht mbi pasqyrimin e rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin nr.978/2020, datë 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këto rekomandime do të pasqyrohen në aktet rregullatore të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të bërë të mundur vijimin e procesit në tërësi mbi përzgjedhjen e kandidaturave për vendet vakante.

Në lidhje me vijimësinë e përgatitjes së çështjeve të shortuara u bë me dije nga anëtarët relatorë se dy nga vakancat e përkohëshme që i takojnë institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, janë përgatitur plotësisht dhe në një kohë sa më të afërt do t’u përcillen kandidaturave përkatëse. Lidhur me vakancën e tretë që i takon Presidentit të Republikës, nuk është përfunduar ende i gjithë procesi standard i verifikimit.

SHKARKO APP