Emigrantë ilegalë drejt BE-së, Shqipëria ka numrin më të lartë në Ballkan

Mbi një milion shqiptarë, ose 44% e popullsisë së përgjithshme aktuale të vendit, migruan në Shtetet Anëtare të BE-së nga 2008 në 2018, duke e bërë Shqipërinë vendin kryesor të origjinës në Ballkanin Perëndimor për migrantët në Bashkimin Europian.

Këto janë gjetjet e një raporti të botuar nga Instituti i Politikave Europiane të Kosovës, bazuar në të dhënat zyrtare të EUROSTAT. 1,249,706 shqiptarë u larguan nga vendi për në Shtetet Anëtare të BE, brenda një dekade (2008-2018). Ky numër arrin në 44% të popullsisë së përgjithshme të vendit në 2019.

Prej tyre, 451,015 shtetas shqiptarë, ose 16% e popullsisë së përgjithshme, u zbulua se ishin ilegalisht të pranishëm në BE gjatë kësaj periudhe, më shumë sesa qytetarët e të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku.

Qytetarët shqiptarë ishin gjithashtu në krye, sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor me 170,500 prej tyre, u ishte refuzuar hyrja në BE. Ky numër, përsëri, tejkalon atë të vendeve në rajon, të marra së bashku. Numrat e migrimit të Shqipërisë në proporcion me popullsinë e saj dallohen në krahasim me ato të Kosovës (30%), Malit të Zi (6%), Maqedonisë së Veriut (12%), Serbisë (8%) dhe Bosnje-Hercegovinës (9%).

Meqenëse konkluzionet e raportit bazohen vetëm në numrin e kërkesave për azil, qytetarët që gjenden të jenë ilegalisht të pranishëm në BE dhe lejet e qëndrimit të lëshuara, numri aktual i emigrantëve mund të jetë edhe më i madh. Për më tepër, këta numra nuk japin llogari për shqiptarët që kanë migruar në vende jashtë BE-së, përfshirë SHBA-në apo Kanadanë.

SHKARKO APP