Emiriana Sako takim me banorët: Porti i Durrësit dhe marrëveshja me Manchester City do zhvillojnë qytetin

Objektivi ynë është transformimi i mëtejshëm i qytetit dhe së bashku me ju do ta arrijmë këtë gjë. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin e zhvilluar.

Kryebashkiakja Sako shpalosi shkurtimisht programin elektoral, i cili do të zbatohet në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. Sako tha se projekti për zbulimin e plotë të amfiteatrit, projekti për stadiumin e ri, marina e portit, porti tregtar në Porto Romano, stadiumi i ri dhe marrëveshja me skuadrën e Manchester City për hapjen e akademisë sportive në Durrës, janë baza e zhvillimit të mëtejshëm të qytetit Durrësit.

Në këtë takim kryebashkiakja Sako shoqërohej edhe nga drejtuesi politik i qarkut Durrës Adrian Çela dhe deputetja Klodiana Spahiu. Çela tha se sot ka shumë vende të qytetit që janë bërë atraksion për shumë vizitorë dhe nuk thua dot se ku është pjesa më e bukur e Durrësit.

Çela iu referua kandidatit kundërshtar se jo shumë vite larg, ai u bë bllokues për rrugën paralel me murin e portit, në një kohë që bashkia kishte gjetur fondet dhe kishte gati kontratën për ndërtimin e saj.

Deputetja Klodiana Spahiu në përshëndetjen e saj iu bëri thirrje banorëve të votojnë nr 2, kryetaren Emiriana Sako, pasi ajo ka punuar për të gjithë qytetarët njëlloj, pa i ndarë ata në të majtë dhe të djathtë.

SHKARKO APP