Emrat e rinj në listat e PS për 14 Majin, Gjiknuri: Rinovimi i ekipeve, gjëja më normale
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka folur këtë mbrëmje në lidhje me rikonfirmimet dhe emrat e rinj në listat e kësaj force politike për kandidatët për kryebashkiakë në zgjedhjet e 14 majit. Për të rinovimi i ekipeve është gjëja më normale në politikë dhe kjo nuk do të thotë që pjesa që nuk rikandidohet ka bërë diçka të gabuar.
”Nuk është vetëm çështje performimi, janë rrethanat sesi vjen procesi i rikandidimit. Patjetër që një pjesë që e kanë merituar rikandidimin, kanë pasur një mbështetje goxha të madhe, si nga partia dhe nga elektorati.
Në disa vende të tjerë është gjykuar e nevojshme, ca sepse kanë pasur shumë mandate, disa të tjerë sepse është menduar të ketë një rifreskim të ekipit, apo edhe rrethanave të shumë faktorëve lokalë, që bëjnë të mundur që një kandidat të jetë më i favorizuar se një tjetër. Është në kuadrin e një procesi normal, ku një pjesë rikandidatohet dhe një pjesë jo. Kjo nuk do të thotë që ata që nuk kanë rikandidatuar, kanë bërë diçka të gabuar. Por, rinovimi i ekipeve është gjëja më normale në politikë”,-tha për ”A2cnn”.