Emri i PD-së për kryeministër? Albana Vokshi: Fushatën do ta drejtojë Berisha, por…
Deputetja e PD-së Albana Vokshi përsa i përket formulës për zgjedhjen e kandidatit për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, thotë se rëndësi ka që opozita po bashkohet.
“E rëndësishme është që opozita po bëhet bashkë, ashtu siç premtoi Berisha dy vite më parë. Me rëndësi është të dalim si front i bashkuar, dhe pas fitores së zgjedhjeve, atëherë qytetarët me votë do të zgjedhin kryeministrin. Ndërkohë PD me drejtimin e Berishës do të ketë rolin kryesor në drejtimin e fushatës”, tha deputetja Vokshi. Ajo u shpreh për “Breaking” në Top News se vendimi për bashkimin e opozitës është marrë në mënyrë unanime në mbledhjen e Kryesisë.
”Kjo është demokracia, që vendimi të jetë unanim. Ne do vijojmë në shtimin e radhëve të kësaj konfederate, që kanë kauza të përbashkëta. Përballja me regjimin, krijimin e kushteve për zgjedhje të lira, janë pikat që na bashkojnë. Nga këtu fillojnë të gjitha të drejtat kushtetuese të qytetarëve. Kjo është kauza kryesore dhe më tej do shtjellohet dhe në të njëjtën kohë, sa i përket Reformës Zgjedhore, kur të pranohen kërkesat tona nga mazhoranca, ne do jemi palë aktive për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR”, u shpreh Vokshi.