Ende pa marrëveshje, Mediu: Marrëdhënia duhet të reflektoje peshën elektorale të PR-së
Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu kanë komunikuar shpesh gjatë javëve të fundit, por një marrëveshje mes dy aleatëve tradicionalë ende nuk ka. Kryetari i Partisë Republikane mbështetet në rezultatet e partisë që drejton në zgjedhjet e kaluara, duke këmbëngulur se marrëveshja nuk mund të vendosë shenjën e barazimit me aleatët e tjerë, por duhet të reflektojë peshën elektorale të PR-së.
Lulzim Basha ende nuk ka zyrtarizuar marrëveshjen me aleatët e tij pavarësisht intesifikimit të takimeve dhe bisedave.
Fatmir Mediu i republikanëve thotë se marrëveshja duhet të bazohet dhe të reflektohet pesha reale elektorale.
Mediu: Partia Republikane ka marrë mandate në Tiranë në çdo lloj kohe, ka marrë mandate dhe në qarqe të tjera, ajo që po diskutojmë është që ne të kemi një listë e cila vendoset në mënyrë proporcionale sipas rezultateve të partive politike. Pastaj se kush janë individët që do të jenë në këtë listë për konkurrim, Partia Republikane është terësisht e hapur që të ketë kualitete që mund të jenë të Partisë Republikane apo të Partisë Demokratike në mënyrë që të bëjnë maksimumin në këto zgjedhje elektorale.
Sipas Mediut, bisedimet brenda koalicionit duhet të mbyllen sa më shpejt në mënyrë që opozita të nisë fushatën elektorale.
Mediu: Sa më shumë të zgjasë kjo aq më tepër rëndon në punën e çdo subjekti politik.Nuk është në interesin e Partisë Demokratike që Partia Republikane të mos e ketë të qartë mënyrën e angazhimit elektoral në koalicion.
E vetmja marrëveshje deri më tani e Bashës me aleatët duke përjashtuar LSI-në është vetëm fakti se do të jenë në të njëjtin koalicion.
Mediu: Ne do të jemi një koalicion të përbashkët opozitar sepse qëllimi i përbashkët është largimi i këtij regjimi të korruptuar dhe për ta bërë këtë të mundur është që ai program i Partisë Demokratike dhe idetë e partive të tjera duhet të kthehen në një program qeverisës.
Republikanët në zgjedhjet e 2017-ës kur u garua me një listë kishte dy vende në listën e Tiranës.
Mediu në vendin e dhjetë dhe nënkryetari i tij Blendi Sulaj në vendin e 14.