Endri Shabani: Lapaj u ankua për dajën tim, por mandatin ia kalo motrës së tij!
Sherreve me akuza të forta mes Lapajt dhe Shabanit, zgjidhjen e dha sot KQZ, ku mandatin e vetëm që Nisma ”Shqipëria Bëhet” mori në zgjedhjet e 11 Majit, ia kaloi partisë së Adriatik Lapajt. Endri Shabani në një reagim, thotë se Lapaj u ankua për dajën e tij, por që mandatit ia kaloi ”motrës” (vajzës së tezes).
Postimi i plotë
U mbars mali dhe…Njëmijë akuza. Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt! Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës. Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje. Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!
Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat. Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.
Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet. Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.
KOHA JONË SONDAZH

