Endrit Braimllari: Vendimet e KAS të njëanshme dhe politike
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari thotë se vendimet e Komisionit të Ankimimit dhe Sanksioneve për të rrëzuar pretendimet për qarkun Gjirokastër ishin të njëanshme dhe politike. Sipas tij 25 prilli ishte “masakër elektorale”, se LSI “i ka provuar manipulimet”, mirëpo “vendimet në favor të Partisë Socialiste, po synojnë ta mbyllin sa më shpejt procesin me rezultat të deformuar”.
“Nga hapja e kutive në qarkun e Beratit] është parë që ka më shumë fletë votimi se numri i zgjedhësve, kjo tregon se është ndërhyrë në kuti,” – tha Braimllari, duke theksuar se shumica socialiste jo vetëm përdori burimet shtetërore, por “manipuloi edhe kutitë”.
Braimllari këmbënguli se të dhënat e pajisjeve të identifikimit elektronik kanë treguar që “ka pasur votime të shumëfishta” dhe se “teknologjia nuk u përdor për ta parandaluar këtë”.
“Si mundet që një qytetar të votojë për 33 të tjerë?!” – bëri pyetje retorike Braimllari. Më tej ai shtoi se për këtë pretendim LSI ka vëzhguar pamjet filmike.