Energjitika, Berisha-Ramës: Po zhvat qytetarët, ku i ke premtimet?
Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit nga foltorja e Kuvendit, në seancës e ditës së enjte, duke e akuzuar atë për mashtrim të qytetarëve dhe zhvatjes së tyre përmes taksave. Në fjalën e tij, Berisha ka akuzuar qeverinë se “po shpik” gjoba për të mbledhur para dhe ka kritikuar ashpër ligjin që lejon sekuestrimin e banesës së qytetarëve debitorë të energjisë elektrike. “Ti ke sjellë një ligj që lejon sekuestrimin e banesës nëse qytetari është debitor. Sot shqiptarët nuk i kanë më të sigurta banesat me këtë ligj. Për vete ndërton saraje, ndërsa qytetarëve iu prish shtëpitë”, – reagoi Berisha. Më tej, ish-kryeministri i qeverisjes së kaluar, i ka kujtuar kreut të mazhorancës premtimet e bëra në fushatë elektorale e që nuk i ka mbajtur, duke e vënë theksin tek heqja e TVSH-së për çmimin e energjisë dhe tek shëndetësia falas. Një tjetër pikë e prekur nga Berisha ka qenë edhe marrëveshja e qeverisë aktuale me kompaninë CEZ për shmangien e arbitrazhit, të cilën ai e ka quajtur si më të korruptuarën. – “Ç’të keqe tjetër do t’iu sjellësh shqiptarëve”, i ka thënë Berisha sot nga foltorja e Kuvendit, kryeministrit Rama.