Enigma Mark Frroku, çfarë fsheh ai?

Nëse ka një enigmë mbi enigmat në çështjen e Tom Doshit, ai është roli i Mark Frrokut. Pse? Jo vetëm se Frroku ishte një nga njerëzit më të afërm të Doshit. Jo vetëm se këtij të fundit i dedikohet zgjedhja e Frrokut deputet në qarkun e Shkodrës, por mbi të gjitha për rolin e veçantë që Froku ka në historinë e supozuar të vrasjes me pagesë. Sipas rrëfimit të vetë Doshit ka qenë Mark Frroku ai që e ka informuar për herë të parë se ndaj tij ka një tentativë vrasjeje. «Unë isha në Budva me familjen kur Froku më telefonoi për të më dhënë lajmin» ka rrëfyer Doshi. Edhe më pas sipas Doshit ka qenë Mark Frroku ai që e lajmëroi se një djalë me bluzë portokalli po e ndiqte. Pra Doshi nga ana e tij pretendon se në më shumë se një rast, Mark Frroku e ka njoftuar se ndaj tij do bëhej një atentat. Por sot kur Mark Frroku i ka mohuar të gjitha këto ka disa pyetje: mos vallë u çmend Tom Doshi, u sëmur nga paranoja dhe shpiku gjithçka? Pak e besueshme. Tom Doshi i kishte të gjitha gjërat në rregull. Një nga deputetët më të pasur të parlamentit, me një pjesë të madhe ministrash që i bindeshin, me kryeministrin që i kish lënë disa kanale biznesi hapur, ai nuk kishte interes të hidhte në erë çdo gjë.

Po atëhetë çfarë ka ndodhur ? Një obsion është që Frroku të ketë dashur ta fusë në kurth Tomën dhe më pas, kur çështja është bërë e madhe ai të jetë tërhequr. Hipoteza e dytë është që Frroku të ketë qenë në djeni të këtyre fakteve, por ai ta ketë lënë në baltë mikun e tij nën presion për të mos folur. Jo më kot njeriu më i afërt i Doshit sot për sot, Dritan Prifti ka theksuar se Frroku gënjeu për hallet e tij. Po cilat janë këto halle? I pari është vëllai i tij që gjendet në burg, i akuzuar për vrasjen e një oficeri policie. E dyta është një llogari e pambyllur që Frroku ka me drejtësinë belge. A janë këto dy shkaqe ato që e bënë Frrokun ta fusë në kurth apo thjesht ta tradhëtojë mikun e tij? Tek ky rol i disa fishtë i Frrokut qëndron edhe një nga çelësat e çështjes Doshi.

SHKARKO APP