Enkeleda Kapedani jep dorëheqjen si zv.kryetare e Gjykatës së Elbasanit: U bëra kokë turku
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vendosur pezullimin nga detyra të Enkeleda Kapedanit deri në përfundim të hetimeve, pas video të publikuara në ”Tik-Tok”, teksa sfilonte në ambientet e Gjykatës së Elbasanit. KLGJ-ja ka pranuar kërkesën e ILD për pezullimin e saj për shkelje me argumentin se ka diskretituar figurën e një gjyqtari, ndonëse Kapedani nuk ka qenë e atij mendimi.
”Sot, në datën 7.6.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për pezullimin nga detyra të magjistrates Enkeleda Kapedani, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, deri në përfundimin e procedimit disiplinor. Në vijim të procedurave, Këshilli, pasi dëgjoi argumentet përkatëse, vendosi pezullimin nga detyra të magjistrates deri në përfundimin e procedimit disiplinor, si dhe i kërkoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore që i atribuohet. Këshilli i Lartë Gjyqësor, i angazhuar për rikthimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, siguron opinionin publik se i kushton vëmendje të veçantë sjelljes etike të gjyqtarëve jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, por edhe jashtë saj. Nga ana tjetër, Këshilli garanton respektimin e të drejtave kushtetuese të gjyqtarëve, në lidhje me prezumimin e pafajësisë dhe zhvillimin e procesit të rregullt ligjor, deri në përfundimin e procedimit disiplinor”, thuhet në njoftimin e KLGJ.
Në fillim të mbledhjes, kreu i ILD-së, Artur Metani ka thënë se Enkeleda Kapedani ka diskretituar rëndë figurën e gjyqtarit. Sipas tij duhet të pezullohet nga detyra Enkeleda Kapedani deri në përfundim të hetimit. ”Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit”,-u shpreh Metani.
Në fjalën e saj, Kapedani teksa ka kërkuar një ndjesë publike, ka thënë se veshja dhe shijet e saja muzikore nuk kanë ndikuar në ushtrimin e detyrës. Ajo bëri me dije se ka dhënë dorëheqjen nga posti si zv.kryetare e Gjykatës së Elbasanit. Po ashtu Kapedani theksoi se prej 7 vitesh në detyrën e gjyqtares nuk është proceduar asnjë herë me shkelje.
”Po e nis mbrojtjen me një ndjesë të thellë publike. Kam bërë foto dhe video për të hequr stresin, jo për t’i publikuar. Videot e mia nuk kanë ndikuar asnjëherë në vendimet e mia si gjyqtare. As veshjet dhe as muzika nuk kanë ndikuar. Ndonjëherë i bëj video vetes pa prezencën e askujt, pa u menduar mirë. Më gjykoni për veprimet në punë. Jam përpjekur me mish e me shpirt. Kam mbaruar studimet me rezultate super të larta. A ka njeri që nuk e ka kënduar një këngë në jetën e tij private. Jam bërë kokë turku. Unë i përmbush me përpikmëri të gjitha detyrat. Kujt i shkela në kallo? Pse jam unë e goditura? Mos lejoni që klikimet dhe krimi të sakrifikojë një gjyqtare që ka dhënë jetën për këtë profesion. Kam paraqitur dorëheqjen si zv. kryetare e Gjykatës së Elbasanit”, tha ajo.