Enkelejd Alibeaj ka ankesa për mediat: Berisha me kohë televizive, nuk lë ditë pa shpifur kundër PD
Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj është shprehur i shqetësuar ndaj kohës televizive që i jepet Sali Berishës, për të cilën sipas tij, mjafton të shqyrtohen pasqyrat e monitorimit të televizioneve gjatë fushatës.
“Sali Berisha nuk le ditë pa shpifur kundër PD dhe për këtë në dispozicion të tij janë shumica e TV private, me në krye TV publik shqiptar. Mjafton të shqyrtohen me pak vëmendje pasqyrat e monitorimit të televizioneve gjatë fushatës dhe duket qartazi që zotëruesi i vërtetë i shumicës së medias, Edi Rama, i ka dhuruar kohë televizive partnerëve të tij të politikës së vjetëruar të nongratave”, u shpreh Alibeaj në reagimin në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër, ai shton se ata janë të interesuar për të mbytur zërin e opozitës. “Ndaj çjerrjet e dëshpëruara të Sali Berishës dhe Ilir Metës, kanë sot zë më shumë se çdo alternativë tjetër, sepse më të interesuarit për të mbytur zërin e opozitës dhe alternativën e saj, janë treshja, me qëllimin e përbashkët të mbajtjes fort të njëri-tjetrit në skenën e vjetëruar të politikës shqiptare”, përfundoi Alibeaj.