Enkelejd Alibeaj në Mirditë: Të çosh demokratët te partia e Metës, fundi i moralit politik
Kryetari i vulës së PD-së dhe që regjistroi partinë në zgjedhjet lokale, Enkelejd Alibeaj nga takimi me demokratët në Mirditë, tha se është e pafalshme, një mëkat politik që një pjesë të demokratëve t’i marrësh dhe t’i orientosh tek partia e Ilir Metës.
”Si mundet që një shtëpi e madhe siç është PD që mund të ketë debate, ide të ndryshme, pikëpamje të ndryshme, por në fund duhet të mbeten te e njëjta çati. Çdo akt, çdo veprim që i orienton, shtyn mezor një pjesë të demokratëve drejt një partie tjetër, të majtë, që nuk ka asgjë me moralin dhe vlerat e PD, kjo është një ndarje, duhet ta pranojmë, një ndarje thuajse finale”, tha Alibeaj.
I qartë që Berisha do të refuzojë çdo përpjekje për bashkëpunim mes tyre për 1 kandidat unik për bashkitë, kryetari i komanduar i PD-së kujdeset të thotë se dora e shtrirë nuk ishte dobësi, apo pa-aftësi për të gjetur kandidatët e tij.
“Demokratët nuk kanë asnjë arsye përse mos të bëhen bashkë rreth 1 kandidati, më të mirin e mundshëm që ka treguar që vë interesin publik mbi atë personal, për të bërë ballë luftës me pushtetin. Mesa duket nuk po ndodh kështu, pavarësisht se shpresa vdes e fundit. Ne kemi mbajtur gjithmonë qëndrimin që po, dorë e shtrirë, po dorë e shtrirë jo si moment dobësie, por për interesin e qytetarëve, jo për interesin e njërës palë apo palës tjetër”,-tha më tej Alibeaj.
Alibeaj pritet të kandidojë me kryetarin e degës lokale, Mark Ruçin, paçka negociatave 4 mujore të strukturave atje për të dalë bashkë në zgjedhje, duke plotësuar kandidatët në të 3 bashkitë e qarkut të dytë më të rëndësishëm të veriut, Lezhës.