Enkelejd Alibeaj: PD është dhe do të mbetet krah SHBA-së dhe shqiptarëve për t’i dhënë fund korrupsionit

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që vinte në dukje se në Shqipëri vijon të mbetet problem korrupsioni si dhe zbatimi i ligjit.

Reagimi i Enkelejd Alibeaj në rrjetet sociale

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet raportit të DASH e cilësojnë qeverinë shqiptare të korruptuar.

“Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thotë raporti duke konfirmuar atë që ne, Partia Demokratike e Shqipërisë, kemi thënë e faktuar prej vitesh. Raporti i DASH është skaneri më i qartë se qeveria e Edi Ramës është e keqja më e madhe e shqiptarëve dhe dëshmia se kjo qeveri nuk e gëzon më mbështetjen e SHBA.

Të dashur qytetarë, demokracia më e madhe në botë nuk e pranon kurrsesi qeverisjen e korruptuar dhe të lidhur me krimin, pasi siç thotë raporti “Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, mungesa e pajisjeve dhe mbikqyrja e pamjaftueshme shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit”,

DASH konfirmon faktin e ngritur me zë të lartë nga PD, blerjen dhe manipulimin e votës duke renditur një seri faktesh në raport e ku edhe në këtë rast konfirmon akuzat e opozitës.

“Raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, theksoi disa mangësi, duke përfshirë blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale dhe avantazhin e konsiderueshëm të fituar nga partia në pushtet për shkak të të qenit në pushtet”, fakt ky i bërtitur nga PD para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

SHBA ngrenë shqetësim edhe për drejtësinë që sipas raportit, “megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”.

Në çdo detaj të raportit faktohet dhe mbështeten qëndrimet e PD dhe opozitës që këto fakte i kanë bërë publike ditë për ditë. Ky qëndrim në raport dëshmon dhe njëherë se SHBA janë në krah të shqiptarëve që kërkojnë luftë ndaj krimit e korrupsionit, reformë reale e të pavarur në drejtësi, dhe mbi të gjitha zgjedhje të lira e të drejta, gjë që nuk ka ndodhur me 25 prill dhe në asnjë proces zgjedhor të 8 viteve të fundit.

Shqiptarët meritojnë një qeverisje të drejtë e të pakorruptuar. Këtë nuk e ofron dot regjimi i Ramës, i kapur mat nga SHBA e çdo institucion tjetër ndërkombëtar, në korrupsion, lidhje me krimin e manipulim të zgjedhjeve.

PD është dhe do të mbetet krah SHBA dhe shqiptarëve për ti dhënë fund korrupsionit, mjerimit ekonomik që ka larguar mijëra qytetarë në emigracion dhe garancia e vetme për reforma reale e të drejta në të gjitha fushat për të ndërtuar një demokraci, si ajo euroatlantike në SHBA e BE.

SHKARKO APP