Erdogan heq veton, Finlanda dhe Suedia drejt anëtarësimit në NATO
Pas shumë qëndrimeve kundër, Turqia ka rënë dakord që të mbështesë anëtarësimin e përbashkët të Finlandës dhe Suedisë në NATO, në ditën e parë të samitit të aleancës në kryeqytetin spanjoll Madrid. Bisedimet trepalëshe midis Turqisë, Finlandës dhe Suedisë, të mbajtura në Madrid në margjinat e samitit të NATO-s, zgjatën mbi dy orë.
Turqia një anëtare e aleancës, shprehu kundërshtime ndaj aplikimeve të anëtarësimit, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje edhe për mbështetjen e grupeve terroriste. Stoltenberg vazhdimisht ka thënë se Turqia ka “shqetësime legjitime në lidhje me luftën e saj kundër terrorizmit”.
Në maj, Ankaraja i akuzoi ato për mbrojtjen e terroristëve kurdë. “Asnjë nga këto vende nuk ka një qëndrim të qartë dhe të hapur ndaj organizatave terroriste. Si mund t’u besojmë atyre?” tha Erdogan në atë kohë.
Ndërkohë deklarata e presidentit të Finlandës thotë se “si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të angazhohet plotësisht ndaj dokumenteve kundër terrorizmit dhe politikave të NATO-s”. Agjencia e lajmeve AFP raportoi se presidenca turke “mori atë që donte” nga bisedimet në Madrid.