Erdogan në Shqipëri, Nishani: Miku i shqiptarëve na nderoi në Tiranë
Presidenti Bujar Nishani, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin turk, Recep Tayyp Erdogan, deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tashmë të mirëvendosura dhe mbi baza të konsoliduara.
Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po zhvillon të mërkurën një vizitë zyrtare në Tiranë. Në ceremoninë e mirëseardhjes në Presidencë, Presidenti turk u prit nga homologu i tij shqiptar, ndërsa pas ekzekutimit të himneve kombëtare, Nishani dhe Erdogan zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga bisedimet zyrtare mes delegacioneve të dy vendeve dhe nënshkrimi i një marrëveshje.
“I shpreha Presidentit Erdogan mirënjohjen time dhe të gjithë popullit shqiptar për mbështetjen që Turqia, ky vend i mik, i ka dhënë shqiptarëve ndër vite, përfshi këtu njohjen e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin në NATO, lobimin për Kosovën, etj”, deklaroi Presidenti Nishani, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë tashmë të mirëvendosura mbi baza të konsoliduara dhe mbi lidhjet tradicionale mes dy popujve, si dhe mbi interesat strategjikë që bashkëndajmë me vendet të ndryshme”, tha Kreu i Shtetit shqiptar.
Në vijim të vizitë së tij në Tiranë, Presidenti Erdogan do të jetë i pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve në Xhaminë e Namazgjasë, në prani të Presidentit Nishani (Ora 15:00) .
Kreu i shtetit turk, që në viziten e tij shoqërohet nga një grup i madh investitorësh, do të marrë pjesë në punimet e Forumit të Biznesit Shqipëri-Turqi, në prani të Presidentit Nishani (18:15).
Gjatë vizitës në Tiranë, Presidenti Erdogan do të pritet në takime të veçanta nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.