Erion Veliaj: 800 familje marrin shërbime sociale pa pagesë, strehë edhe për 250 të moshuar
800 familje në nevojë të zonës së Kombinatit dhe jo vetëm, tashmë mund të marrin të gjitha shërbimet sociale në Qendrën Komunitare “Të qëndrojmë së bashku” në Kombinat. Qendra multifunksionale për fëmijë, të rinj dhe të moshuar, më e madhja në kryeqytet, është ringritur nga e para pas dëmtimit të rëndë që pësoi nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me zv/Kryeministrin dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj, vizituan qendrën e re sociale me ambiente moderne dhe hapësira shumë herë më të mëdha se ato të mëparshmet, ndërtuar me Programin e Rindërtimit.
Veliaj u shpreh se kjo qendër është sot shembull i gjithë shërbimeve sociale që ofrohen në institucionet e ngritura për familjet në nevojë dhe individët me nevoja të veçanta.
“Ta gëzojmë qendrën më të bukur në Ballkan! Qendër komunitare, qendër sociale, një shtëpi të madhe për të gjithë banorët e Kombinatit, Astirit, Njësisë 14, Yzberishtit, Pezës, Vaqarrit e Ndroqit. Sot është një ditë e jashtëzakonshme! Sigurisht, ka gëzim hapja e çdo shtëpie individuale të çdo familjeje, por kjo shtëpi e madhe për 800 familje është kënaqësi e jashtëzakonshme,” u shpreh Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

