Erion Veliaj betohet pa opozitën, “mollë sherri” prania e Bledi Çuçit

Mbledhja e parë e Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës pas largimit tw kryetarit Lulzim Basha regjistroi përplasjen e parë mes Këshilltarëve të djathtë dhe të majtë.

Para se Erion Veliaj të bënte betimin si kryetari i Bashkisë së Tiranës, Këshilltarët e djathtë kërkuan largimin nga salla të Ministrit për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi. Sipas tyre, protokolli nuk e lejon që në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të jenë të pranishëm autoritete të pushtetit qendror, përveç Prefektit.

Kërkesa e Këshilltarëve të djathtë u refuzua nga Aldrin Dalipi. Kryetari i rizgjedhur i Këshillit Bashkiak tha se salla është e hapur për të gjithë dhe ligji e parashikon praninë e përfaqësuesve të qeverisë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Pas refuzimit, të djathtët u larguan.

Erion Veliaj tha se ndjente keqardhje që opozita u përpoq të censuronte personat e ftuar në ceremoninë e betimit dhe kërkoi bashkëpunimin e të djathtëve në mbledhjet e ardhshme.

Me 41 vota pro dhe 19 kundër, njëra prej të cilave nga e majta, Këshilli rikonfirmoi Aldrin Dalipin në krye të Këshillit Bashkiak, ndërsa nesër do të emërohen edhe 24 administratorët e rinj të Tiranës.

SHKARKO APP