Erion Veliaj: Do ju shërbej gjithë qytetarëve të Tiranës

 

Nga Erion Veliaj.

Sot është një ditë shumë e veçantë për te gjithë ne sepse nga sot kemi privilegjin t’i shërbejmë qytetarëve të Tiranës me kohë të plotë.

Ky është një moment kthese në punët e kryeqytetit! Nga tani Bashkia e Tiranës do të ketë një model të ri qeverisjeje, i cili bazohet mbi një parim të thjeshtë: me qytetarin, për qytetarin.

Bashkia do të punojë për qytetarët dhe qytetarët do të jenë aksionerë dhe partnerë në çdo hap të punës sonë. Arsyeja për këtë është fare e thjeshtë. Nuk ka asnjë rrugë tjetër për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet sot Tirana.

Çfarë ndodh sot? Kur qytetarët mendojnë apo thonë fjalën bashki, çfarë kanë në mend? Ju vjen ndërmend një institucion partner, ju vjen ndërmend një institucion që i përfshin ata në menaxhimin e qytetit? Nuk më duket kështu.

Ju vijnë ndërmend lejet e ndërtimit, rrugët me gropa, policët bashkiakë, taksat. Por në fakt bashkia ka të bëjë jo vetëm me këto gjera, por ka të bëj kryesisht me njerëzit. Vetë fjala bashki rrjedh nga fjala bashkë – një hapësirë ku njerëzit jetojnë bashkë, punojnë bashkë, i bëjnë gjërat bashkë.

Një vend ku duam s’duam problemet e individit janë edhe problemet e komunitetit. Ku sfidat e individit janë edhe sfidat e komunitetit. Ku individi kontribuon për të mirën e përbashkët dhe komuniteti kontribuon për t’i siguruar një jetë më të mirë çdo individi.

Jemi të gjithë dëshmitarë se nuk ka funksionuar kështu. Gjithnjë kanë triumfuar zgjidhjet individuale, disa të ligjshme dhe disa të paligjshme.

Njerëzit kanë humbur besimin tek zgjidhjet e përbashkëta sepse bashkia ka dështuar të përmbushë misionin e saj si rregullatore e marrëdhënieve në komunitet. Madje disa herë vetë bashkia është bërë pjesë e problemit duke abuzuar me rolin e saj e duke nxitur zgjidhjet individuale në kurriz të komunitetit.

Fjala vjen, Ujësjellësi nuk është në gjendje të furnizojë me ujë dhe qytetarët kanë gjetur zgjidhje individuale duke ndërtuar depozita e duke ndërhyrë në rrjet.

Qyteti fjala vjen nuk ofron hapësira për parkim dhe qytetarët kanë gjetur zgjidhjet individuale duke vënë zinxhira, dryna, hekurishte e copa betoni për të zaptuar një vendparkim.

Qyteti nuk ofron transport urban me standarde dhe qytetarët, domosdo, zgjedhin të përdorin automjetet e tyre individuale.

Qyteti nuk ofron tregje me standarde dhe qytetarët zgjedhin të shesin mu në mes të rrugës e trotuareve duke gjetur sërisht zgjidhje individuale në kurriz të komunitetit.

Do të bësh një shtesë, të zaptosh një hapësirë, të ndërtosh një lokal pa leje, të shpallësh një hapësirë publike parkimin tënd privat, t’i vësh “gjoba” çdo shoferi që guxon të parkojë në bulevard nën kërcënimin se po të mos paguajë do t’i gërvishtesh makinën? Kjo është Tirana e ëndrrave tona? E bën kollaj këtë, sepse bashkia, kjo rregullatore e marrëdhënieve në komunitet, ka qenë jashtë loje.

Mund të vazhdoj pafund me shembuj të tillë që kanë të gjitha diçka të përbashkët: kur bashkia dështon të bëjë bashkinë fryma e komunitetit zhbëhet, triumfojnë zgjedhjet individuale dhe pasojat i paguajmë të gjithë: më shumë stres, më shumë ndotje, më shumë rrëmujë, më shumë sherr e shamatë. Më shumë pesimizëm.

Nga sot kjo situatë merr fund. Ky qytet është i të gjithëve dhe e vetmja mënyrë si mund të funksionojë është nëse gjithsecili bën pjesën e tij: qytetarët të tyren e bashkia të sajën.

Janë zgjidhjet që synojnë të mirën e përbashkët ato që e bëjnë një qytet të funksionojë dhe unë do të bëj çdo gjë për të arritur në zgjidhje të përbashkëta për problemet tona të përbashkëta.Le të flasim hapur edhe për sfidat që na presin. Janë sfida të mëdha, që do të kërkojnë shumë punë, shumë mund, shumë durim nga të gjithë ne. Do të na duhet të marrim vendime të vështira për ta sjellë në vete qytetin tonë.

Nuk do të jetë e lehtë. Dhe padyshim do të na duhet të jemi të duruar. Do të na duhet të jemi të duruar ne, ekipi që nga sot drejton bashkinë, por do t’ju kërkoja edhe qytetarëve të tregojnë durim.

Jam i vetëdijshëm, ashtu siç jeni të vetëdijshëm të gjithë, që pritshmëritë janë shumë të mëdha dhe i falënderoj qytetarët për këtë sepse ky është realisht vlerësimi më i lart që mund të presë kushdo që mban një post publik për të cilin qytetarët kanë dhënë mbështetjen me votën e tyre. Dhe padyshim që unë dhe skuadra që do të drejtojë bashkinë e Tiranës do të punojë me të gjitha mundësitë, energjitë e talentin për të përmbushur të gjitha këto pritshmëri të qytetit tonë.

Por ashtu siç gjatë gjithë fushatës u tregova i drejtpërdrejtë me qytetarët, ashtu dua të flas troç edhe sot: Tirana nuk do të ndryshojë brenda ditës. Ndryshimi që presim e ndryshimi që ne do të sjellim me siguri, kërkon kohë të nevojshme! Por mbi të gjitha kërkon bashkëpunimin tuaj. 

Në 21 qershor ky qytet na dha një mundësi për të ndryshuar realitetin ku jetojmë. Sot, si kryetar i Bashkisë unë po ju kërkoj të më jepni një dorë për ta bërë realitet këtë ndryshim. Sëbashku ne mund të bëjmë më shumë për Tiranën.

Dhe kjo nuk është një ftesë vetëm për ata që punuan për fushatën time apo votuan për mua. Aspak! Unë jam kryetari i bashkisë i çdo qytetari të Tiranës, dhe ju jeni anëtarët e Këshillit Bashkiak të çdo qytetari të Tiranës, i majtë apo i djathtë. Prandaj sot ju shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre që kanë diçka për të dhënë për këtë qytet të përbashkët. Sepse mund të jemi socialistë apo demokratë, por mbi të gjitha jemi qytetarë të kryeqytetit të Shqipërisë, jemi qytetarë të Tiranës.

Kjo ftesë vlen padyshim akoma më shumë për përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Bashkiak. Ndjehem patjetër i keqardhur që u munduan që në mbledhjen e parë të censurojnë personat që ftohen në Këshillë Bashkiakë. Arsyeja pse donim që ta bënim mbledhjen e Këshillit Bashkiak jashtë ishte që tu jepnim qytetarëve mundësinë që të ishin prezentë duke qenë se sot kemi më shumë anëtarë të Këshillit Bashkiak sesa ulëset që kishim këtu. Megjithatë e respektuam kërkesën e opozitës që ta mbanim brenda dhe pse kjo la jashtë kësaj salle shumë qytetarë që do donin të ishin pjesë. Kjo është arsyeja pse e kufizuam edhe numrin e të ftuarve në vetëm përfaqësuesit e personaliteteve të besimit, 5 kryetarët e komuniteteve fetare dhe në përfaqësuesit shtetërorë që kanë qenë të pranishëm sipas udhëzimit dhe sipas diskrecionit të Këshillit Bashkiak për të ftuar të veçantë siç është Ministri i Çështjeve Vendore apo prefekti i Qarkut, siç ka ndodhur në çdo mbledhje tjetër.

Megjithatë përtej kësaj keqardhje dua që ti bëj të ditur opozitës, ne u përkasim forcave të ndryshme dhe deri pak javë më parë ishim në llogore të ndryshme në fushatën elektorale. Por sot fushata ka mbaruar. Të gjithë ne kemi një gjë të përbashkët: ne përfaqësojmë këtu votat e qytetarëve të Tiranës dhe duhet ti përfaqësonim që në mbledhjen tonë të parë. Dhe çdo votë e hedhur për secilin nga ne është një shpresë, është një dëshirë,  është një ëndërr, është një pritshmëri nga qytetarët e Tiranës pa dallim bindjeve politike. Shpresoj që nga mbledhja e ardhshme ne do të punojmë së bashku me opozitën për ta justifikuar këtë besim që na është dhënë të gjithëve.

Është e vërtetë se mund të ndajmë mendime të ndryshme mbi ato për të cilat ka nevojë Tirana. Cilat duhet të jenë prioritetet e cilat punë mund të presin, cilat janë projektet më strategjike e kush janë projektet ndoshta të luksit që mund të bëhen më vonë. Kjo është krejt normale dhe ky është një debat që e mirëpresim gjithmonë.

Ajo për të cilën unë zotohem është që secili prej jush, anëtarë të Këshillit të mazhorancës apo opozitës, do të gjejë tek unë një derë të hapur, një kryetar bashkie të gatshëm për të dëgjuar. Nuk është e thënë të biem dakord për gjithçka, por ju garantoj se do të trajtoj me respektin maksimal mendimin, kritikat, sugjerimet apo alternativat e secilit prej jush. Dhe respektin tim për ju të gjithë do ta tregoj duke filluar nga akti më elementar: pjesëmarrja ime në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak të qytetit të Tiranës.

Gjatë rrugës sonë padyshim nuk do të mungojnë cinikët. Cinikët nuk mungojnë asnjëherë në Shqipëri, as snuksat, as ata që thonë që ky vend nuk bëhet, as ata që thonë që ky qytet ka marrë fund. Është misioni ynë i përbashkët që tua provojmë se e kanë gabim, të mirëpresim edhe cinizmin dhe vërejtjet e tyre, por në fund fare t’i befasojmë me ndryshimet që të gjithë bashkë do sjellim në Tiranë.

Miqtë e mi,

Ne jetojmë në një qytet me një histori krejt të veçantë, që ka ditur ta rishpikë e ta rigjejë vetveten në më shumë se një rast. Është qyteti më i ri nga qytetet e mëdha të Shqipërisë. 95 vjet më parë, në 11 shkurt të vitit 1920, patriotët që u mblodhën në Kongresin e Lushnjes dhe shpallën Tiranën si kryeqytet të përkohshëm, me gjasë as që e mendonin që gati një shekull më pas Tirana do të ishte qyteti më i madh e më fantastik në Shqipëri.

Por nëse zgjedhja e Tiranës kryeqytet ishte e rastësishme, nuk ka asgjë të rastësishme tek fakti që Tirana është sot qyteti më modern dhe më i zhvilluar i Shqipërisë. Ajo është e tillë sepse të tillë e kanë bërë njerëzit. Kanë ardhur e kanë ikur pushtues, kanë kaluar regjime, janë ngritur e kanë rënë sisteme, por Tirana ka mbetur, Tirana është rritur, është zhvilluar dhe sot është bërë qyteti nga kanë sytë gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Ky qytet ka shumë energji. Tirana ka shpirt, Tirana gëlon nga jeta, Tirana ka ëndrrat, Tirana ka dëshira. Tirana ka ditur të bjerë në këmbë pas çdo krize e ndryshimi. Dhe unë e shoh shumë qartë në vizionin tim se çfarë mund të bëhet ky qytet nëse ka një bashki që punon e u gjendet në krah qytetarëve dhe këtë bashki do ta ketë.

Ka pak vendime më të rëndësishme në jetën e një njeriu sesa zgjedhja e qytetit ku ai njeri ose ajo familje do të jetojë. Është një vendim që përcakton sesi do të jetë jeta jonë dhe e familjes sonë. Si do të jetë puna, shkollimi, shëndetësia.

Misioni ynë është ta bëjmë Tiranën zgjedhjen absolute, zgjedhjen e duhur për këdo, për çdo të ri e të re, çdo burrë e çdo grua dhe për këdo synon të krijojë familjen e vet në qytetin tonë. E për ta bërë këtë, në radhë të parë ne duhet ta bëjmë Tiranën një qytet të jetueshëm. Një qytet me përmasa njerëzore, siç thotë një fjalë.

 

Realizimi i këtij objektivi nis me disa ndërhyrje urgjente që ne do t’i fillojmë që sot. Gjatë fushatës një ekip i përkushtuar vullnetarësh vetëm me një smartphone në dorë arriti brenda pak ditësh të na japë një hartë të plotë të problematikave më emergjente me të cilat përballet sot qyteti: si puseta që mungojnë, rrugë e trotuare të prishura, kanalizime të bllokuara, plehra, hapësira të zëna në mënyrë abuzive, parqe e hapësira çlodhëse të munguara. Kjo hartë është edhe lista e punëve dhe e detyrave tona duke filluar që sot.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Një mandat i suksesshëm nuk është ai që zgjidh vetëm hallet e problemet imediate të së tashmes.

Sfida jonë nuk është thjesht të shtrojmë rrugë, të mbjellim pemë, të ndriçojmë lagjet, sado të rëndësishme qofshin këto.

Një mandat i suksesshëm duhet të hedhë themelet e transformimit të qytetit të të ardhmes dhe të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm për qytetin tonë. Sfida e vërtetë është të planifikojmë sesi do të jetë Tirana pas 10 apo 20 vjetësh.

Reforma territoriale na ka dhënë sot një mundësi të jashtëzakonshme, një pikënisje fantastike. Bashkia e Tiranës administron një territor 25 herë më të madh falë kësaj reforme.

Këtu dua të falënderoj publikisht, për disa ishte objekt për të prishur gëzimin e ditës së sotme, ndërsa për ne është një moment krenarie puna që ka bërë ministri Çuçi dhe gjithë ekipi i tij për të realizuar një reformë e cila e bënë më të menaxhueshëm dhe më efikas pushtetin vendor në Shqipëri.

Kjo do të thotë që sot ne kemi mundësinë të hartojmë plane të mirëfillta zhvillimi, të ndërtojmë ekonomi shkalle, të flasim për projekte që dikur ishin të pamundura. Më shumë mundësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për inovacion, punësim, turizëm, kulturë, art.

Dhe meqë jemi tek reforma, më lejoni të hap një parantezë. Natyrisht kjo reformë do të thotë edhe një përgjegjësi e shtuar për t’ju shërbyer qytetarëve që prej sot janë qytetarë të Tiranës, me po të njëjtat standarde e dinjitet si dhe qytetarëve të asaj që mund ta quajmë Tirana e bashkisë së vjetër. Puna për këtë fillon që nesër kur do të emërohen administratorët e të 24 njësive që përbëjnë Bashkinë e Tiranës dhe qytetarëve do t’u garantohen të gjitha shërbimet aty ku i kanë marrë deri më sot, pa asnjë ndërprerje.  

Integrimi i territorit të ri është veç njëra nga sfidat e mëdha, kurse zhvillimi i qëndrueshëm i Tiranës është kryesfida jonë. Tirana ka nevojë për një model zhvillimi që shfrytëzon asetet natyrore, turistike, bujqësore, ekonomike, kulturore, njerëzore e infrastrukturore në funksion të rritjes ekonomike, për më shumë punësim, të ardhura për bashkinë dhe një nivel më të lartë jetese për këdo që ka zgjedhur të jetojë në Tiranë! Por, gjithmonë duke mbrojtur mjedisin e duke garantuar cilësinë e ajrit dhe reduktimin e ndotjes. Shkurt, Tiranës i nevojitet një model i qëndrueshëm zhvillimi.

Zhvillim i qëndrueshëm është një model transporti që shmang e redukton me sa mundet përdorimin e automjeteve vetjake për t’i dhënë më shumë peshë e hapësirë transportit urban apo mjeteve alternative të transportit siç janë biçikletat apo edhe lëvizja në këmbë.

Zhvillim i qëndrueshëm është një model i zhvillimit të territorit që i garanton qytetit përmasën e tij njerëzore, që investon për fuqizimin e komuniteteve duke i bërë pjesë të konsultimeve për çdo projekt zhvillimi.

Zhvillim i qëndrueshëm nuk do të thotë ndërtime e zhvillim pa kriter në të gjitha zonat me potencial turistik apo bujqësor. Përkundrazi, do të thotë një zhvillim me sa më shumë kujdes e përgjegjësi i këtyre aseteve që ato të mos shërbejnë më vetëm për pasurimin e shpejtë e afatshkurtër të pakicës, por për të krijuar qendra afatgjata zhvillimi që krijojnë punësim, nxisin prodhimin e qarkullimin e njerëzve e kapitalit, duke u kthyer në bërthama lokale zhvillimi.

Zhvillim i qëndrueshëm do të thotë që jo thjesht të ndërtosh apo ta meremetosh një shkollë, por të investosh që ajo shkollë të kthehet në një pikë referimi për jetën sociale, kulturore e artistike të komunitetit.

Këto të gjitha do të kërkojnë një model të ri qeverisje lokale. Një vizion të ri dhe filozofi të re. Eksperimenti që ne bëmë në fushatë për të ndërtuar hartën e problematikave të qytetit ishte në fakt një shembull i kësaj filozofie që duam të injektojmë në punën e Bashkisë së re të Tiranës.

Këtyre sfidave ju shtohet edhe një tjetër. Që jo rastësisht e lashë për në fund sepse dua që t’i jap kësaj çështje të gjithë peshën e rëndësinë që meriton. Tirana që kemi sot nuk është Tirana e të gjithë qytetarëve. Hapësira ku të gjithë marrin të njëjtat shërbime, të njëjtën vëmendje e të njëjtat mundësi. Tirana e sotme është një rrëfenjë me dy qytete: një i njerkës e një nënës!

Lagje të tëra janë lënë krejtësisht jashtë vëmendjes. E ardhmja e një fëmije që rritet sot në zonat informale, në Bregun e Lumit apo Shkozë, apo tek Instituti në Laprakë, pa rrugë, pa shkollim, pa mundësi, është në fakt edhe e ardhmja e një fëmije që rritet sot në mes të bllokut sepse të ardhmet e tyre janë të pandashme. Duke qenë se jetojmë në të njëjtin qytet dhe herët a vonë fatet tona ndërlidhen. Varfëria, mjerimi, mungesa e shanseve e çdo qytetari është në fakt problemi që duhet zgjidhur edhe për qytetarët e tjerë që ndoshta në këtë moment nuk i kanë këto sfida.

Unë besoj te një Tiranë e mundësive të barabarta. Nuk mund të pranoj e nuk mund të dorëzohem përballë realitetit të një qytet që zhvillohet me dy shpejtësi. Në asnjë mënyrë! Ne jemi të majtë, besojmë tek solidariteti dhe shanset e barabarta. Prandaj do të punojmë për një bashki të integruar jo thjesht nga ana e infrastrukturës, por mbi të gjitha të integruar në standarde shërbimi, urbanizimi e shkollimi.

Çdo banor i çdo njësie të Tiranës do të përfitojë të njëjtën cilësi shërbimesh – shkollat do të ofrojnë të njëjtat kushte si në Tiranë të re ashtu edhe në Shëngjergj, transporti urban do të jetë i së njëjtës cilësi si në Laprakë ashtu edhe në Vaqarr, pastërtia e rrugëve dhe hapësirave publike të jetë e njëjtë si në Kombinat ashtu edhe në Dajt.

Do të punoj që rinia të ketë të njëjtat mundësi për t’ia dalë me sukses në Tiranë si në Njësinë 5 ashtu edhe në Pezë dhe që përkrahja e Bashkisë të jetë e njëjtë si për qytetarët që banojnë në mes të Tiranës, ashtu edhe për ata që banojnë në zonat më të thella. Sepse vetëm kështu, vetëm me këto parime, ne mund të krijojmë shanset e mundësitë e barabarta për të gjithë potencialin njerëzor i kësaj hapësire që quhet Tiranë! Ky po, që është një investim për të ardhmen.

Miqtë e mi,

Të gjitha këto nuk mund të jenë arritjet e një njeriu të vetëm apo të një ekipi të vetëm. Do të duhet bashkëpunimi dhe kontributi i gjithsecilit prej jush.

Një nga reformatorët e mëdhenj të politikës amerikane, JFK ka thënë dikur: Të gjitha këto nuk do të bëhen në 100 ditët e para. Nuk do të përfundojnë as në 1000 ditët e para. As brenda mandatit të kësaj administrate e ndoshta as deri sa t’i vijë fundi botës. Por, gjithsesi, le t’i futemi punës!

Prandaj miqtë e mi, le t’i futemi punës që sot. Sepse qytetarët presin shumë dhe katër vjet kalojnë sa hap e mbyll sytë. E kur të takohemi prapë bashkë pas 4 vjetësh unë nuk dua të vi përpara jush me një listë justifikimesh pse nuk janë bërë punët, por me një listë punësh të mbaruara. Me një qytet që mund të mos jetë i përkryer, por të paktën është më i mirë se ai që po trashëgojmë sot.  

Na priftë e mbara të gjithëve!

 

 

 

 

SHKARKO APP