Erion Veliaj e emëron drejtor të parqeve Blendi Gonxhen
Politikë E Martë, 6 Prill 2021 19:56
Nje emerim qe ia vlen te permendet nga Erion Veliaj. Ish dhjetoristi Blendi Gonxhe rikthehet përsëri në godinën ku ka punuar dikur. Jo në postin dhe as në rolin e fuqishëm që ka patur atëherë, por si drejtor i parqeve. Ky funksion i ri i është besuar atij nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ndoshta Veliaj është nisur nga mbiemri për ta caktuar Blendi Gonxhen tek parqet, sepse nëse nisemi nga përvoja, parqet janë ato që kanë vuajtur më shumë në mandatin e parë e të dytë të Ramës.
Vetë ish nënkryetari i bashkisë tha se ka qenë Veliaj që ia ka bërë këtë ftesë. “Jam duke punuar për një ide mbi një Agjenci për Parqet rekreative. Për momentin kjo kalon përmes Ndërmarrjes nr.1 të Bashkisë deri në ristrukturimet. Por është shumë herët për të folur sepse nuk ka shumë gjëra konkrete”, u shpreh Gonxhe për “Panorama”, pas marrjes së detyrës.
Gonxhe ishte pjesë e garës së Tiranës, në krye të listës së këshilltarëve të Partisë Demokristiane të Nard Ndokës, por nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Këshillit të ri Bashkiak. Gonxhe ka punuar me Edi Ramen si nenkryetar Bashkie dhe njihet si njeri shume kreativ.
Edhe pse i angazhuar në sipërmarrjen private që nga koha kur u largua si nënkryetar i Bashkisë në vitin 2002, Gonxhe duket se do të punojë në krah të kryebashkiakut për gjallërimin e parkut të Vaqarrit, Farkës, Kasharit, Dajtit dhe Parkut Olimpik të Tiranës.