Erion Veliaj jep lajmin e mirë për sportin, ish-kompleksi Dajti i rikthehet Bashkisë
Ish-kompleksi sportiv “Dajti” do të kalojë sërish në administrim të Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj siguroi se krahas pishinave te Liqeni, transformimit do t’i nënshtrohet edhe ish-kompleksi sportiv Dajti.
“Fillimisht u lirua hapësira te “7 Xhuxhat”, edhe aty thanë se do të bëhej pallat, por jo, bashkia bëri dy kate parking poshtë. Edhe këtu duhet të mendojmë për parkingun sepse ka një pafundësi kërkese për ata që frekuentojnë Parkun e Liqenit. Të njëjtën gjë do të bëjmë te Kompleksi Dajti, pasi ka mbaruar kontrata e qirave dhe atë kompleks duam ta transformojmë, për ta kthyer në kompleks sportiv, pavarësisht çfarë do të thonë gjobaxhinjtë e portaleve”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se pavarësisht spekulimeve, në fund flasin veprat.
“Thamë shesh, bëmë shesh. Thamë Pazarin, bëmë Pazar. Thamë Kala, bëmë Kalanë. Thamë pistën te Liqeni, bëmë pistën te Liqeni. Thamë stadium, u bë stadiumi. Thamë Piramidën, bëmë Piramidën, Kopshtin Zoologjik po kështu. Siç po themi edhe për këtë kompleks të madh olimpik, që do bashkohet me Parkun Olimpik, apo edhe për kompleksin Dajti, të tilla do t’i bëjmë”, siguroi kreu i Bashkisë.