Erion Veliaj: Kemi nevojë të promovojmë të rinjtë, si shembuj të së mirës

Në Galerinë e Artit të Tiranës u çel ekspozita e artistit të ri Dario Toska, një ekspozitë solidariteti, me kurator artistin dhe piktorin e mirënjohur, Helidon Haliti. Të ardhurat e mbledhura nga shitja e veprave të ekspozuara do të dhurohen në ndihmë të Shtëpisë Rosalba në Gjadër, Lezhë, e cila ndihmon rreth 500 familje në nevojë nga e gjithë Shqipëria.

Në përurimin e kësaj ekspozite të veçantë, në hapësirën e artit në Tiranë, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai vlerësoi artistin e ri për idenë e bukur dhe tha se ka edhe plot të rinj të tjerë, artistë, që kontribuojnë për njerëzit në nevojë, por duhen promovuar.

Na duhet që artistët e rinj si Dario t’i gjejmë edhe t’i promovojmë. Në qoftë se të gjithë ju këtu bëheni pjesë e këtij pakti që po propozoj – atë të promovimit të së mirës, të bukurës, të estetikës, të shijes – atëherë është vetëm çështje kohe, që në lajme do të dëgjojmë më shumë për Dariot dhe më pak për banalitetet e atyre që ende sherrosen. Duhet t’i largohemi banalitetit dhe ky është ilaçi që i duhet shoqërisë sonë”, tha Veliaj.

SHKARKO APP