Erion Veliaj: Koha që PS të krahasohet me partitë drejtuese në BE, jo me partinë e Saliut

Kryetari i PS të Tiranës, Erion Veliaj thotë se çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të sjellë ndryshime në klasën politike. Nga Asambleja Socialiste e Njësisë 13, kryebashkiaku i Tiranës tha se Partia Socialiste duhet të krahasohet me partitë simotra të vendeve BE-së dhe jo me partinë e Saliut.

“Ne duhet të jemi partia e 2023-shit. Tani që hapëm zyrtarisht negociatat me BE-në nuk krahasohemi me partinë e Saliut, as me varetë e shkopat e bejsbollit, por do të krahasohemi me partitë simotra që drejtojnë vendet e BE-së”, theksoi Veliaj.

Ai shprehu besimin se Shqipëria do të arrijë të plotësojë të gjitha detyrat për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian. “Ka qenë një javë e jashtëzakonshme, ku brenda një jave, në Shqipërinë tone, kanë ndodhur gjëra që i kemi ëndërruar prej vitesh. Sapo kemi hapur zyrtarisht negociatat për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian. Një ëndërr e atyre që nuk panë demokraci, po bëhet realitet. Do të jetë gjenerata jonë ajo që do ta provojë, do të shohim sesi bëhet realitet një nga aspiratat më të forta të kombit tonë”, nënvizoi Veliaj.

Kryetari i PS për Tiranën u shpreh se nën qeverisjes socialiste, Shqipëria po zë një vend të rëndësishëm edhe në arenën ndërkombëtare.

“Në qershor, Shqipëria ishte jo vetëm anëtare e Këshillit të Sigurimit, por ne kishim Presidencën e Këshillit të Sigurimit. Më në fund, njerëzit e shikojnë Shqipërinë jo si një vend i vogël me 2.8 milionë banorë, por si një vend që grushton edhe mbi peshën e vet. Mund të ketë popullsi modeste, ekonomi modeste, por një vend që drejtohet, siç drejton Edi Shqipërinë, siç drejtojnë shumë prej nesh ato vende ku jemi thirrur që të shërbejmë, mund të grushtojë, mund të ngrejë pesha më të larta se pesha vet. Sot jemi në këtë situatë, ku shumë prej gjërave që na dukeshin të pamundura, janë bërë realitet”.

SHKARKO APP