Erion Veliaj me studentët dhe arkitektët e huaj: Tirana e destinuar të rritet
Shtatë blloqe banimi në Tiranë do të transformohen në funksion të të rinjve, përmes një projekti bashkëpunimi mes studentëve të arkitekturës me ekspertë nga studiot më në zë të arkitekturës bashkëkohore sot në botë. Lagjet e reja, të cilat do të rikualifikohen janë: blloku ‘Vasil Shanto’, zona informale në Kombinat, Qyteti Studenti, Unaza, 5 Maji, Don Bosko dhe blloku ‘Porcelani’.
Projektet u prezantuan në workshop-in “Designing Together”, ku mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në fjalën e tij, Veliaj vuri theksin në faktin se Tirana është një qytet i destinuar të rritet demografikisht, ndaj sfida e kryeqytetit është që t’i përgjigjet kësaj rritjeje edhe në infrastrukturë.
“Për të gjithë ata njerëz që thonë “jo në bahçen time”, duhet t’u bëjmë disa pyetje sepse s’mund të jem i vetmi që luftoj për të mbrojtur atë që, në fakt, është gjëja më e lehtë për t’u mbrojtur: destinin e qytetit për t’u rritur. Ndaj pyetja ime e parë është: A është vërtet Tirana vetëm ‘baçja jote’ apo është edhe bahçja e dikujt tjetër, i cili gjithashtu ka të drejtë të zhvillohet? Dhe pyetja e dytë është: Çfarë do të bëjmë? Qyteti do të rritet dhe kjo nuk diskutohet sepse në Tiranë vijnë çdo vit 32 mijë vetë. Shumë njerëz thonë se duan të vijnë në Tiranë sepse ky është qyteti ku ndodhin gjërat, ka teatër, ka opera, ka edhe sport, ka palestra të hapura, ka edhe një shesh të madh, ku ndodhin koncerte. Për të gjitha këto arsye, Tirana rritet pa na pyetur fare, ndaj një pyetje tjetër është: Çfarë rritje do të kemi?”, tha Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

