Erion Veliaj: Metën dhe Berishën i kemi mundur edhe bashkë, dhe veç e veç

Zgjedhjet e ardhshme lokale, kanë ndezur motorrët ku përballja më interesante dhe e fortë pritet që të jetë në Tiranë. Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ka komentuar aleancën e mundshme Berisha-Meta në zgjedhjet e ardhshme vendore. Nga Njësia 3, ku zhvilloi takimin e radhës me socialistët, Veliaj tha se PS-ja ka treguar se i mund edhe bashkë, edhe veç e veç, si Saliun edhe Ilirin.

“Ka shumë njerëz që pyesin: Kush do kandidojë kundër nesh në pranverën e vitit tjetër? Po a ka rëndësi kjo? Njerëzit thonë mos kandidon Ilir Meta? Unë u përgjigjem: Ishalla! E dimë se ai nuk është nga ata burra që e mban fjalën, por them ishalla kandidon! Ne i kemi mundur edhe Ilirin, edhe Saliun; i kemi mundur edhe veç e veç, i kemi mundur edhe të dy bashkë, prandaj s’na intereson fare! Ne na nxjerr faqebardhë fakti se bëjmë llogaritë tona, prandaj në këtë periudhë do të rigjenerojmë partinë tonë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u ndal edhe te rikthimi i Sali Berishës në krye të PD-së. Ai nënvizoi se Saliu është një lajm i keq për opozitën dhe Shqipërinë.

“Është e rëndësishme që edhe të rinjtë që do të votojnë për herë të parë ta dinë historinë, ta dinë kush i mori në qafë shqiptarët me piramidat dhe pse rikthimi i Saliut është lajm i keq për Shqipërinë dhe për opozitën. Lajm i mirë përkohësisht për ne, por nuk është e shëndetshme për vendin, kur njerëz non-grata drejtojnë opozitën. Është detyra e librave të historisë, e mësuesve, e familjeve, që t’i rrëfejnë historinë një 18-vjeçari, kurse ne, të rinjve duhet t’u flasim për TUMO-n, për kodimin, për Piramidën dhe qendrat tona të teknologjisë së informacionit; do duhet t’u flasim çfarë do të bëjmë, si do ta çojmë më lart arsimin, si do i përmirësojmë çerdhet, kopshtet tona, infrastrukturën e qytetit”.

SHKARKO APP