Erion Veliaj: Ndryshimet kanë përmirësuar trafikun në Tiranë. Cilësia e ajrit sot merr vlerësimin ”Good”
Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, trafiku në çdo qytet të madh është një sfidë e jashtëzakonshme. Në emisionin ”Opinion”, ai tha se vetëm në kryeqytet janë të regjistruara 180 mijë makina, por duke shtuar edhe numrin e atyre që vijnë nga rrethet shkon në 250 mijë mjete. Sipas Veliajt shumë prej ndryshimeve e kanë përmirësuar trafikuan.
“Trafiku është një sfidë e jashtëzakonshme për çdo qytet të madh europian. Fjala vjen nuk ka trafik në Bari, por ka në Romë dhe Milano. Nuk ka trafik në Këlcyrë dhe në Has por ka në Tiranë. Në Tiranë të regjistruara janë 180 mijë makina dhe ndërkohë bashkë me ato që vijnë nga rrethet janë 250 mijë makina në të njëjtin qytet me akset që kemi trashëguar që nga koha e Italisë. Ajo që më rezulton është që nëse në hyrje të Tiranës në kohën kur ishte sheshi “Shqiponja” duheshin 2 ose 3 orë, sot kalohet në pak minuta. Do të thotë që shumë prej ndryshimeve e kanë përmirësuar trafikun”, u shpreh Veliaj.
Po ashtu Veliaj i cili do të kandidojë në zgjedhjet e 14 Majit edhe për një mandat tjetër, theksoi se edhe cilësia e ajrit është përmirësuar krahasuar nga disa vite më parë.
“Siç ta tregova cilësia e ajrit sot merr vlerësimin ‘Good’. Në disa ditë del edhe ‘shumë mirë’. Ndërkohë që e kemi marrë nëse sot nota mesatare është 7 dhe disa ditë 9 nota mesatare para disa viteve ka qenë 4 ose 5. A mund të bëhet më shumë? Patjetër”, tha Veliaj.