Erion Veliaj: Nëse jemi të bashkuar dhe bashkëpunues, asgjë nuk na ndal

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shprehu një falënderim të veçantë 250 të rinjve e të rejave, që ndihmuan me përkushtim në jetëzimin e një prej ngjarjeve më të mëdha të Tiranës, në vitin e “Kryeqytetit Europian të Rinisë”. Teksa i dha secilit nga një certifikatë mirënjohje, Veliaj apeloi për më shumë bashkëpunim e solidaritet.

Unë besoj se kjo gjeneratë e ka shansin të shenjohet nga një eksperiencë fantastike, siç ishte Tirana “Kryeqyteti Europian i Rinisë” dhe prej kësaj experience të bëhet më e mirë se gjenerata jonë. Ne mund të kemi ide të ndryshme, por duhet t’i themi njëri-tjetrit: ‘Jepi gaz, çoje deri në fund’ dhe kur dikush bën një punë e mirë, duhet t’i themi: ‘Bravo të qoftë!’ Ndaj, sot jam shumë krenar për secilin prej jush”, u shpreh Veliaj.

Tirana mori gjithashtu vlerësimin e anëtarëve të lidershipit të Forumit Rinor, duke u vlerësuar si qyteti më i mirë në 20 vitet e fundit, nga 20 qytete që e kanë mbajtur tashmë këtë titull. Sipas kreut të Bashkisë, ky titull duhet të shërbejë si një model frymëzimi në vendimet tona dhe si një nxitje për të ecur përpara e për të qenë më bashkëpunues me njëri-tjetrin.

Ai theksoi se eksperienca e përjetuar si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” merr një domethënie të veçantë na kontekstin aktual, kur sfidat globale kanë pasur ndikimin e tyre. Megjithatë, kreu i Bashkisë apeloi se vetëm nëpërmjet kontributit të gjithsecilit, dashurisë për njëri-tjetrin dhe vlerave të vërteta njerëzore, këto sfida mund të bëhen më të lehta në shoqërinë që duam të ndërtojmë.

Pas më tepër se 1000 aktiviteteve, të organizuara nën logon e Kryeqytetit Europian të Rinisë, tashmë Tirana pritet të marrë stafetën si Qyteti Europian i Sportit 2023, gjë e cila konfirmon edhe njëherë rolin e rëndësishëm të kryeqytetit shqiptar, në aspektin rajonal.

SHKARKO APP