Erion Veliaj: Një rrugë në Tiranë merr emrin “Ukraina e Lirë”
Njëra nga rrugët e bllokut ku ndodhen selitë e ambasadave në Tiranë, pranë ambasadës së Ukrainës, ambasadës Ruse dhe asaj Serbe, do të emërtohet Ukraina e Lirë” të hënën.
Lajmin e dha sot kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e vlerësoi këtë gjest të Tiranës si një mesazh të qartë se s’mund të rrimë duarkryq pas asaj çka po ndodh me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Veliaj, i cili së bashku me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, ndihmuan sot në ngarkimin e kamionit të parë me ndihmat e mbledhura nga qytetarët e Tiranës për qytetarët e Ukrainës, tha se është krenar për gjithë këtë bujari e solidaritet.
“Ne vërtet nuk mund të çojmë armë, por mund të çojmë ushqime dhe një mesazh. E një nga mesazhet që duam të çojmë, përmes Këshillit Bashkiak të Tiranës të hënën, është vendimi për të emërtuar një segment në bllokun e selive të ambasadave, që ndodhet pranë ambasadës së Ukrainës, me emrin Rruga “Ukraina e Lirë”. Ky është një mesazh që po jepet nga shumë qytete. Qëllon që në atë rrugë ndodhet edhe Ambasada e Rusisë – do të duhet që, ata, dhe të gjithë të tjerët aty, ta ndërrojnë adresën në kartëvizita me rrugën “Ukraina e Lirë”. Është një mënyrë për të treguar se ne nuk mund të rrimë duarkryq”, u shpreh Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

