Erion Veliaj: Politika e përbaltjes të mos kthehet në sport
16 shtetas të huaj, me profesione të ndryshme si mjekë, inxhinierë, artistë dhe stomatologë, nisën një rrugëtim të ri në jetën e tyre pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare dhe duke u betuar para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për besnikëri ndaj shtetit shqiptar.
Në ceremoninë e betimit, kryebashkiaku Erion Veliaj i ftoi shtetasit e rinj që të jenë zëdhënës të së mirës. “Ju ftoj në këtë mision për të qenë zëdhënës të së mirës, të së bukurës, të gjërave që na bashkojnë, jo të atyre që na ndajnë. Kur këtë e bëjnë kombe apo vende që janë në luftë, ne që jetojmë në paqe, që jemi duke bërë progres çdo ditë, duhet ta bëjmë patjetër. Kush e kishte menduar se Shqipëria jonë, dikur vendi më i izoluar në Europë, do ishte sot një vend ku, çdo javë, 20 të huaj bëhen shtetas shqiptarë. Kush e kishte menduar se vendi ku të vrisnin po të hyje apo të dilje pa leje, sot do të ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kur ne shqiptarët fokusohemi te puna, te misioni, bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se debatet politike nuk duhet të bëhen pengesë për progresin e vendit. Ai theksoi se kur vjen puna për qytetin dhe për vendin, të gjithë duhet të punojnë bashkarisht për të ecur përpara.