Erion Veliaj: Shtëpitë ku u strehuan hebrenjtë në Tiranë do të kthehen në muze
Festivali i përbashkët kulturor Shqipëri-Izrael që po zhvillohet në Tiranë ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen te mikpritja shqiptare, e cila, sikurse u shkrua në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore me hebrenjtë, po përsëritet me qytetarët afganë sot, të cilët kanë gjetur një strehë të sigurtë në vendin tonë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili së bashku me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ishin të ftuar nderi në mbrëmjen e dytë të eventit me fokus marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe atij hebre, u shpreh krenar për mbrojtjen e hebrenjve në vendin tonë përgjatë Holokaustit.
“Jam krenar që jam shqiptar kur dëgjoj historinë e një qyteti, – që sot kam unë fatin ta drejtoj, – i cili fillimisht kishte vetëm 200 hebrenj dhe në fund të luftës, në finale të asaj drame të madhe botërore kishte 2 mijë të tillë. Më vjen mirë, që, edhe në ditët e sotme ne jemi besnikë të kësaj historie. Kur mendoj për muxhahedinët që erdhën nga Irani dhe i rezistonin regjimit të Ajatollahëve ekstremistë në Iran, fillimisht në Tiranë për t’u zhvendosur diku tjetër, për miqtë, kolegët, partnerët që erdhën nga Afganistani fillimisht në Tiranë dhe pastaj për t’u zhvendosur diku tjetër, realisht më bën të ndihem krenar,” tha Veliaj.