Erion Veliaj takim me banorë të komunitetit çam në Tiranë: Ne punojmë, me PS ecin gjërat përpara
Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh drejtues politik i PS në këtë qark, Erion Veliaj, zhvilloi sot një takim me banorë të komunitetit çam në njësinë 3.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se qytetarët po largohen nga siglat partiake dhe po i bashkohen Partisë Socialiste, në të cilën besojnë se do ta çojë vendin përpara.
“Pavarësisht bindjeve që mund të kemi pasur në të kaluarën, edhe në Rrogozhinë për shembull, na janë bashkuar 2500 vetë nga komuniteti çam, që thonë: E di çfarë, ne punojmë, me PS ecin gjërat përpara, hajde t’i japim të gjithë një dorë. Si Parti Socialiste, gjërat i kemi bërë me ndershmëri zemre!”, u shpreh Veliaj.
“Koha për t’i shkuar pas flamurit të partisë, – meqenëse ti je çam, do votosh për partinë tonë, kurse ti që ke ardhur nga Skrapari, do votosh për partinë tonë, ka mbaruar.
Kur i kishim këto partitë e vogla në koalicion, nuk bëje dot asnjë punë. Të thoshte, “ku është plaçka ime?” Bllokohej buxheti në Këshillin Bashkiak se një parti donte një gjë, një tjetër diçka tjetër, dhe ti thoshe, “po mirë, për të shqyer plaçkën keni ardhur këtu? Apo për të bërë këto 5 punë, që njerëzit të thonë e lanë një gjurmë”, deklaroi Veliaj.